Eminem ka vendosur të përballet me gjigantin e teknologjisë Meta. Reperi dhe labeli i tij Eight Mile Style kanë ngritur një padi kundër Meta Platforms, pronarit të Facebook, Instagram dhe WhatsApp. Ata e akuzojnë gjigantin e teknologjisë për shkelje të të drejtave të autorit dhe kërkojnë më shumë se 95 milionë euro, sipas dokumenteve gjyqësore të paraqitura më 30 maj dhe të siguruara nga E! News. Në padi, Eminem (emri i vërtetë Marshall Mathers) pretendon se Meta shkeli të drejtën e autorit të 243 këngëve nga katalogu i tij duke “ruajtur, riprodhuar dhe shfrytëzuar pa autorizim” ato vepra në platformat e tij.
Ai citon si shembuj veçoritë ‘Original Audio’ dhe ‘Reels’ të aplikacioneve, të cilat “mundësojnë dhe inkurajojnë përdoruesit të vjedhin” muzikën e tij për përmbajtje video “pa atribuim ose licencë të duhur”. Prandaj, Eminem po kërkon dëmshpërblim monetar për “vlerën e zvogëluar të të drejtave të autorit për shkak të përvetësimit të tyre, humbjes së fitimeve dhe fitimeve të bëra nga të pandehurit përmes shkeljes”.
Nga ana tjetër, ai po kërkon dëmshpërblimin maksimal statutor prej 130 mijë eurosh për secilën nga këngët e kontestuara në të tre platformat e Metës, duke arritur në një total prej 105,350,000 eurosh. Muzikanti nga Detroiti njihet për natyrën konfliktuale dhe shpesh i drejtohet jetës së tij personale në këngët e tij, duke përfshirë një fëmijëri të vështirë dhe marrëdhënie të trazuara me të ëmën e ndjerë Debbie Nelson dhe ish-gruan Kim Mathers.
Rikujtojmë, se ish-punonjësi i Eminem, Joseph Strange, është akuzuar për vjedhje dhe shitje të muzikës së papublikuar. Sipas raporteve të mediave, prokurorët federalë kanë akuzuar Joseph Strange për shkelje të të drejtave të autorit dhe transport ndërshtetëror të mallrave të vjedhura pasi ai dyshohet se ua shiti muzikën e reperit individëve që ngarkuan më shumë se 25 këngë në internet në janar. Zëdhënësi i Eminem, Dennis Dennehy tha se reperi ishte i kënaqur me zhvillimet e fundit në këtë rast. “Eminem dhe ekipi i tij vlerësojnë shumë përpjekjet e zyrës së FBI-së në Detroit për hetimin e saj të plotë që çoi në akuzat kundër Joseph Strange”-tha ai.