Sport

Enkileda Carja shpërblehet vetëm për garën U-20, VKM nuk parashikon para për kategorinë ku mori medalje

Ndryshe nga sa mund të mendohej, Enkileda Carja nuk do të shpërblehet për “tripletën e artë” nga qeveria. Peshëngritësja bëri paraqitje të jashtëzakonshme në Kampionatin Botëror, duke fituar tre medalje ari për moshat U-17. Por, edhe pse bëhet fjalë për rezultate historike, shtangistja e talentuar nuk futet dot në zonën e shpërblimeve për 3 medaljet e arta botërore. Duket absurde, por në fakt VKM-ja për shpërblimet e sportistëve nuk parashikon shpërblim për kategorinë e para të rinjve, por vetëm për të rinj, në varësi të kategorizimit që ka çdo federatë.

LEXO EDHE: Rezultate historike në PESHËNGRITJE/ Enkileda Carja shpallet kampione e trefishtë e botës për U-17!

Ja çfarë thotë konkretisht VKM-ja për kriteret e shpërblimit të sportistëve kur bëhet fjalë për garat që nuk janë për të rritur:

“Sportistët e sporteve individuale, të kategorisë ‘të rinj’, që arrijnë rezultate në veprimtaritë kombëtare, sipas tabelës 1 (tabela që parashikon zonën e shpërblimeve), shpërblehen në masën 30% të vlerës së përcaktuar për kategorinë ‘të rritur’”, thuhet në VKM.

Megjithatë, edhe pse medaljet historike për U-17 të Carjes mbeten pa u shpërblyer financiarisht, sportistja është futur në zonën e shpërblimeve me rezultatet e arritura në Botëror për moshat U-20, pra për të reja. Për medaljen e bronzit në shkëputje, si dhe për vendet e pesta në shtytje dhe dygarësh, Enkileda Carja do të përfitojë nga shteti shqiptar 15.9 milionë lekë të vjetër gjithsej.

Ndërkohë zonën e shpërblimeve e ka arritur edhe Ertjan Kofsha në garat për U-20, pra për të rinj. Për dy vendet e katërta në shkëputje dhe shtytje si dhe për vendin e pestë në dygarësh, Kofsha do të marrë gjithsej 12.9 milionë të vjetër. Ashtu sikurse për Enkileda Carjen, fatkeqësisht edhe Antonino Mullisi prej mangësisë në VKM, mbetet pa shpërblim financiar për një vend të katërt dhe dy vende të pesta në Kampionatin Botëror për moshat U-17. “Topi” i mbetet Komitetit Olimpik si dhe Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, për të investuar te këta të rinj të talentuar.