Rikthimi në fushë i amerikanes Serena Uilliams mori fund në turneun e “Queen’s”, pasi partnerja e saj në dyshe, kanadezja Viktoria Mboko, u tërhoq për shkak të një dëmtimi në gjurin e majtë.
Uilliams, 44 vjeç dhe fituese e 23 titujve Grand Slam, ishte rikthyer këtë javë në garat zyrtare pas gati katër vitesh larg qarkut profesionist. Ajo arriti një fitore të martën në raundin e parë ndaj Nicole Melichar-Martinez dhe Erin Routliffe (7-6(2), 6-2).
Amerikania dhe Mboko kishin planifikuar të luanin të enjten çerekfinalen e turneut në dyshe, por dëmtimi i tenistes së re kanadeze bëri që pjesëmarrja e tyre të anulohej. Mboko, 19 vjeç, u dëmtua gjatë ndeshjes së saj individuale ndaj çekes Karolina Pliskova, të zhvilluar të martën. Kur po humbiste 6-2 dhe 4-3, ajo ra në fushë pas një aksioni ku dëmtoi gjurin e majtë dhe u detyrua të tërhiqej mes lotësh pasi mori ndihmë mjekësore.
LEXO EDHE: Ronaldo nuk pranon kritikat në Botëror: Jam mirë fizikisht, a nuk i ke parë ndeshjet?
Si pasojë, çifti Leylah Fernandez dhe Laura Siegemund kaloi direkt në gjysmëfinale të turneut londinez. Në këtë mënyrë, përfundon rikthimi i Serena Uilliams në garë, në një turne që shënoi paraqitjen e saj të parë zyrtare që nga “US Open” i vitit 2022 dhe që sipas disa mediave britanike mund të ketë shërbyer si përgatitje për Uimbëlldonin.