Rajoni

Escobar: Kosova e Serbia të arrijnë marrëveshje përfundimtare këtë vit!

“Do të dëshiroja që këtë vit të arrihet marrëveshja përfundimtare për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi”. Kjo u theksua sot nga i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë konferencës për media në Beograd.

Mendoj që një gjë e tillë është plotësisht e mundur. Kjo marrëveshje nuk është diçka për t’u frikësuar. Shpresojmë se nuk do të ndryshojë rrënjësisht jetën e askujt, por se do të mundësojë një nivel të caktuar stabiliteti e paqeje për njerëzit në rajon. Synimi i saj nuk është të krijojë pengesa të reja, e kundërta. Ne dëshirojmë që kjo marrëveshje të jetë e mirë jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por sepse Serbia e Kosova janë në zemër të Ballkanit Perëndimor, për të krijuar mundësi edhe për fqinjët tuaj.

Në kryeqytetin serb, Escobar foli dy ditë para raundit të ri të dialogut Prishtinë-Beograd e që pritet të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Palët do të bisedojnë për zbatimin e propozimit europian. Escobar konfirmoi pozitivisht se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është më afër nga sa ishte një muaj më parë.

Mund të them se bisedimet tona me qeverinë e Kosovës po bëhen gjithnjë më produktive e realiste. Shpresoj që ne jemi shumë më afër kësaj se disa javë më parë.

Propozimi europian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë është një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara e për të krijuar kushte paqësore për të gjithë njerëzit që jetojnë në rajon.

Pritshmëritë tona janë që të dy liderët të jenë në gjendje të dëgjojnë njëri-tjetrin dhe që ata do të punojnë për ta bërë këtë marrëveshje realitet. Të mendojnë për pengesat, të kërkojnë mënyra për t’i kapërcyer ato e të largohen nga takimi duke kuptuar se do të vazhdojnë të punojnë deri në zgjidhje.

I dërguari special i SHBA-ve theksoi se nuk pret që gjatë takimit në Ohër të ketë firma, por vuri në dukje se do të hapet rruga për përparim të mëtejshëm. Megjithatë, nuk preferoi të tregojë se çfarë mund të ndodhë nëse Ohri nuk jep rezultate.