I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar i tha Zërit të Amerikës se marrëveshjet që Serbia dhe Kosova kanë arritur janë detyrim ligjor për të dyja palët dhe se nënshkrimi ose jo i tyre, nuk ndikon në detyrimin që kanë për t’i zbatuar.
Në takimin e fundit me udhëheqësit europianë në Bruksel, kryeministri Albin Kurti tha se është i gatshëm të pranojë e të nënshkruajë projektstatutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa presidenti Aleksander Vuçiç bëri të qartë se nuk do të pranojë asgjë që nënkupton njohjen de-facto të Kosovës.
I pyetur si do të vazhdohet më tej pas këtyre qëndrimeve, Escobar u shpreh se “këto dy deklarata nuk pasqyrojnë realitetin, pasi ato marrëveshje janë të ligjërisht të detyrueshme, gjë që të dy udhëheqësit e kanë pranuar”.
Zyrtari i lartë shtoi se të dy udhëheqësit e kanë marrë këtë angazhim përpara Bashkimit Europian e Shteteve të Bashkuara. Sipas tij, “palët kanë detyrime specifike për t’u ndërmarrë në rrugën drejt normalizimit”.
Kosova Asociacionin dhe Serbia, njohjen e dokumenteve doganore të Kosovës, targave, letërnjoftimeve e të tjera si këto.
Zyrtari amerikan tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht dialogun dhe se ajo që ka mbetur lidhet vetëm me kohën e mënyrën si do t’i zbatojnë palët detyrimet.
Dorëheqja e Shefit të Agjencisë Serbe të Zbulimit
I pyetur lidhur me dorëheqjen e shefit të Agjencisë Serbe të Zbulimit, (BIA) Aleksander Vulin, Escobar tha se ai ka qenë figurë jashtëzakonisht destabilizuese në rajon për një kohë të gjatë, gjë mbi të cilën u bazuan edhe sanksionet amerikane.
Lidhur me komentet e Aleksander Vulinit se dha dorëheqjen pasi Uashingtoni dhe Brukseli po e kërkonin një gjë të tillë si kusht për të mos i vendosur sanksione Serbisë, Escobar deklaroi:
Ne nuk marrim vendime në emër të qeverisë serbe.