Celebrities Health & Beauty

Fedez kthehet në shtëpi pas shtrimit në spital/Përditësimet më të fundit mbi shëndetin e tij!

Pas tre ditësh, Fedez la spitalin Humanitas në Rozzano dhe u kthye në shtëpi. Reperi italian ishte shtruar në repartin e gastroenterologjisë pas një episodi gjakderdhjeje, por kontrollet e fundit në Milano dhanë rezultate qetësuese, duke i lejuar mjekët të autorizonin daljen e tij.

Problemi i ri shëndetësor erdhi vetëm disa ditë pas lindjes së fëmijës së tretë të artistit, Edoardo Lupo, me partneren Giulia Honegger.

Fedez ishte dërguar me autoambulancë në Urgjencë, për shkak të problemeve me stomakun.

Gjendja u shkaktua nga riaktivizimi i një ulçere të mëparshme, me gjakderdhje e që sipas hipotezave fillestare, ishte e lidhur edhe me përdorimin e ilaçeve anti-inflamatore. Reperi u mbajt fillimisht në departamentin e Kirurgjisë për një natë, gjatë së cilës mjekët kryen disa teste pas episodit të gjakderdhjes gastrointestinale.

Për Federico Leonardo Lucia-n, ky episod vjen gjatë një periudhe veçanërisht delikate nga pikëpamja shëndetësore. Nga viti 2022 deri më sot, reperi është përballur me disa shtrime në spital, ndërhyrje kirurgjikale dhe ndërlikime mjekësore që kanë tërhequr vëmendjen e publikut.

Në mars të vitit 2022, ai u diagnostikua me një tumor neuroendokrin pankreatik, për të cilin iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Në vitet që pasuan, lindën probleme të tjera, duke përfshirë episode gjakderdhjeje dhe shtrime të reja në spital.