Ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Silvio Gonzato deklaroi se projekti EU4Migracion i financuar nga Bashkimi Europian, ka në fokus forcimin e qeverisjes së emigracionit dhe azilit në Shqipëri. Gjatë fjalës në aktivitetin e mbajtur sot për luftën ndaj emigracionit të paligjshëm, Gonzato theksoi se ky projekt do të ndihmojë në mbështetjen e përpjekjeve të Shqipërisë për të shënuar përparim në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian.
Po ashtu, ambasadori u shpreh se projekti EU4Migracion, që është dëshmi e partneritetit që ekziston mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, do të ndihmojë në forcimin e kapaciteteve institucionale e do të përmirësojë mekanizmat operative, si dhe do të rrisë bashkërendimin mes aktorëve të përfshirë në menaxhimin e emigracionit.
Nisja e këtij projekti të rëndësishëm të financuar nga Bashkimi Europian, ka në fokus forcimin e qeverisjes së emigracionit dhe të azilit në Shqipëri.
Menaxhimi i emigracionit, çështje sigurie dhe shprehje themelore e vlerave tona. E rëndësishme të theksojmë këtë në një kohë kur rajoni është i ndezur nga konflikti. Shqipëria në një moment kyç për rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE, ne njohim përpjekjet domethënëse që vendi juaj ka bërë për të harmonizuar politikat e praktikat e veta me standardet europiane.
Projekti i Bashkimit Europian për emigracionin, përfaqëson një instrument të dobishëm për të mbështetur ambiciet e Shqipërisë dhe shpresojmë që ky projekt të ndihmojë institucionet shqiptare për të rritur kapacitetet e tyre për të menaxhuar emigracionin dhe azilin në mënyrë efektive, transparente e njerëzore.
Rikonfirmim i përkushtimit tonë ndaj stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Dëshmi e prekshme e partneritetit që ekziston mes Shqipërisë dhe BE-së.
Projekti mbështet një sërë objektivash e synimesh politike që ndiqen nga qeveria shqiptare, vuri në dukje diplomati Gonzato, i cili shtoi se sfidat e emigracionit janë komplekse dhe kërkojnë kuadre të forta qeverisëse e po ashtu, vizione të përbashkëta.