Bashkimi Evropian pritet të nisë të hënën negociatat zyrtare të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, pas heqjes së bllokadës së vendosur më parë nga Hungaria.
Qipro, e cila mban aktualisht presidencën e radhës së Këshillit të Bashkimit Evropian, njoftoi se shtetet anëtare kanë rënë dakord për një qëndrim të përbashkët lidhur me fazën e parë të negociatave, duke përfunduar kështu përgatitjet e nevojshme.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, falënderoi partnerët e vendit të tij në BE përmes rrjeteve sociale.
Ukraina po bën atë që është e nevojshme dhe është e rëndësishme që edhe BE-ja të mbajë fjalën e saj. Nisja e negociatave përbën një mbështetje të rëndësishme politike dhe morale për shtetin dhe popullin tonë, theksoi Zelensky.
Edhe presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, e përshëndeti vendimin në një postim në X.
Kemi bërë punën tonë dhe do të vazhdojmë të zbatojmë reformat.
BE-ja i hapi zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë në qershor të vitit 2024, por hapja e fazës së parë të bisedimeve me Kievin u bllokua nga vetoja hungareze.
Vetëm pas humbjes në zgjedhje të ish-kryeministrit hungarez, Viktor Orbán, në prill, procesi filloi të ecë përpara.
Kryeministri i ri i Hungarisë, Peter Magyar, njoftoi javën e kaluar se ishte arritur një marrëveshje me Kievin për forcimin e të drejtave të pakicës hungareze në Ukrainë.
Magyar e kishte vendosur këtë marrëveshje si kusht për miratimin e nisjes së negociatave të anëtarësimit të Ukrainës në BE.