Vendimi i Bankës së Shqipërisë për të blerë euro në treg ka dhënë efekte të menjëhershme në kursin e këmbimit. Këtë të enjte monedha evropiane u forcua me gati 0.8 lekë krahasuar me një ditë më parë. Ekspertët thonë se në 5 muaj dëmtoi rëndë eksportet. Selami Xhepa tha se: “Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë shkon në rrugën e duhur, në fakt prej disa kohësh në veçanti në muajin e fundit, ka pasur një intensitet shumë të ndjeshëm në tregun valutor, duke bërë që leku të fuqizohet në mënyrë të ekzagjeruar, të pajustifikuar nga zhvillimet e ekonomisë. Rreziqet që mund të sillte për të ardhmen e ekonomisë, për eksportet në veçanti, ishte goxha serioze”. Adrian Civici, ish-anëtar i këshillit mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, shpjegon se ndërhyja e bankës e ndikon kursin e këmbimit në dy drejtime, së pari duke hequr euron e tepërt nga tregu dhe së dyti duke rritur ofertën e lekut. Ndërkaq ai tha se: “Në aspektin e masës monetare, të sasive të euros për ta zvogëluar atë në mënyrë të blerjes direkte përmes Bankës së Shqipërisë të një sasie të konsiderueshme eurosh. Nga ana tjetër ulja e normës bazë të interesit në 1% presupozon se do të ketë shtim të kredive, lehtësim të kreditimit. Shtimin e lekut në qarkullim. Duke qenë se BSH ka të gjithë arsenalin e duhur të mundësive, për të prapësuar këto lloj vendimesh që janë irracionale. Nuk ka asnjë arsye qoftë teorike, qoftë praktike që tregjet të mos reflektojnë. Kjo masë e BSH do të japë rezultate të paktën në aspektin psikologjik. Për të konfirmuar angazhimin, por mbetet për t’u parë se sa do të jetë sasia që Banka e Shqipërisë do të tërheqë nga tregu. E nga ana tjetër, si do të reagojë tregu monetar shqiptar me uljen e normës bazë të interesit”, shprehet Civici.