Bota

Evakuohen 2,500 marinarë nga Ngushtica e Hormuzit, pas sulmit të 40 anijeve

Rreth 2,500 marinarë janë evakuuar nga Ngushtica e Hormuzit, ndërsa Organizata Ndërkombëtare Detare (IMO) ka pezulluar përkohësisht operacionin pas sulmit ndaj një anijeje mallrash të enjten.

Sekretari i Përgjithshëm i IMO-s, Arsenio Dominguez, bëri të ditur se operacioni i evakuimit nisi më herët gjatë javës dhe u realizua me angazhimin e të paktën 115 anijeve.

Sipas Dominguez, organizata po zhvillon bisedime me Iranin, Omanin dhe Shtetet e Bashkuara për të siguruar garanci të reja sigurie, me synimin për të rifilluar sa më shpejt operacionin e evakuimit.

Një ditë më parë, IMO kishte njoftuar se synonte të evakuonte mbi 11 mijë marinarë të mbetur të bllokuar në këtë rrugë ujore strategjike.

Ngushtica e Hormuzit është përfshirë nga tensione të larta prej javësh, pas kërcënimeve dhe sulmeve të Iranit ndaj anijeve tregtare, ndërsa Shtetet e Bashkuara janë përgjigjur me një bllokadë të porteve iraniane.

Sipas të dhënave të IMO-s, që nga fillimi i konfliktit janë sulmuar më shumë se 40 anije tregtare, ndërsa të paktën 14 marinarë kanë humbur jetën.