Bota

Sulmohet një anije në Ngushticën e Hormuzit!

Marina Evergreen e Tajvanit njoftoi sot se një prej anijeve të saj u godit pranë Omanit nga një objekt i panjohur, ndërsa po lundronte në një rrugë ujore të rekomanduar nga agjencia britanike e marinës, lajm që u konfirmua edhe nga vetë kjo agjenci.

Sulmi erdhi pasi organi i ngritur nga Irani për të menaxhuar ngushticën tha se anijet që kalojnë jashtë rrugëve të përcaktuara nuk do të kenë të garantuar kalim të sigurt.

Pas atij sulmi, Organizata Ndërkombëtare Detare e OKB-së ndaloi evakuimin e planifikuar të më shumë se 11 mijë  marinarëve të bllokuar në rajon që nga nisja e luftës ndaj Iranit dhe shoqërimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit.

Shefi i agjencisë së OKB-së beri me dije se disa anije tregtare ishin evakuuar tashmë, por ata kërkonin konfirmim se garancitë e nevojshme të sigurisë do të vazhdonin të ishin në fuqi.

Sipas mediave ndërkombëtare, zyrtarë amerikanë raportuan se sulmi u krye nga Irani. Pas ngjarjes, çmimet e naftës në tregjet globale pësuan një rritje të lehtë.

Të enjten, çmimi i naftës Brent, përpara se të arrinte në 73.23 dollarë fuçi, ra për pak kohë nën 72.48 dollarë për fuçi, aq sa ishte një ditë para se SHBA dhe Izraeli të nisnin sulmet ndaj Iranit.

Javën e kaluar, SHBA-të dhe Irani ranë dakord t’i jepnin fund luftës përmes një memorandumi mirëkuptimi me 14 pika, i cili  i bën thirrje Iranit të garantojë kalimin e sigurt të anijeve tregtare pa pagesë për 60 ditë sa është afati i parashikuar në atë dokument për zgjatjen e bisedimeve për të arritur një marrëveshje përfundimtare mes palëve.