Bota

Faza e dytë e armëpushimit, nesër bisedimet Izrael-Hamas në Katar!

Në Lindjen e Mesme, lufta mes Izraelit dhe Hamasit, e cila përfshin Libanin, Sirinë e Iranin ka arritur në ditën e 520-të. Në Doha të Katarit, nesër fillojnë negociatat për fazën e dytë të armëpushimit. Izraeli dërgon delegacionin e tij. Hamasi në vend të kësaj thotë se është gati të lirojë më shumë pengje të gjallë në këmbim të dy muajve të tjerë armëpushim. Ndërkohë, Italia, Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe promovojnë planin arab për Gazën, duke e quajtur “realist” dhe “të vlefshëm” për rindërtimin e Rripit të Gazës.

Në një tjetër zhvillim, më herët, udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei bëri të ditur se refuzon përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për bisedime mes dy vendeve, se sipas tij, “ato do të sillnin vendosje të kufizimeve ndaj rrezes së raketave iraniane dhe ndikimit në rajon”.

Duke folur dje me një grup zyrtarësh, Khamenei nuk i përmendi me emër Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ai foli për një “qeveri përndjekëse” që po këmbëngulte për bisedime.

Bisedimet e tyre nuk synojnë që të zgjidhin problemet, por janë për t’i imponuar palës së ulur në anën tjetër të tavolinës, atë që dëshirojnë, vuri në dukje Khamenei.

Komentet e liderit Khamenei u bënë një ditë pasi presidenti Donald Trump konfirmoi dërgimin e një letre për të e ku kërkohej një marrëveshje e re me Teheranin zyrtar, për të kufizuar zhvillimin e shpejtë të programit bërthamor dhe për të zëvendësuar marrëveshjen bërthamore nga e cila Amerika u tërhoq gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump.

Në komentet e tij për gazetarët, të bëra dy ditë më parë në Zyrën Ovale, shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk e përmendi drejtpërdrejt letrën. Por, ai bëri një referencë për veprime të mundshme ushtarake, duke thënë se:

Kemi një situatë me Iranin dhe diçka do të ndodhë shumë shpejt. Shumë shpejt.