Një nga finalistet e Miss Universe 2022 ka ndërruar jetë në moshën 23-vjeçare si pasojë e një aksidenti, ku ra nga një kalë. Ish-modelja Sienna Weir nga Sidnei u mbajt për disa javë në jetë me aparatura, por nuk mundi të mbijetonte.
Mediat australiane komentuan se bukuroshja pësoi dëmtime të shumta pasi ra nga kali, pa dhënë më shumë detaje. Familjarë dhe ndjekës të modeles reaguan në rrjetet sociale pas këtij lajmi tragjik, duke shprehur ngushëllimet për këtë humbje të parakohshme. Agjencia e saj e modelimit Scoop Management gjithashtu konfirmoi vdekjen dhe ndau disa fotografi të saj në Instagram. “Përgjithmonë në zemrat tona”, shkruhej në postim.
Sienna Weir ishte një nga 27 finalistët në konkursin Miss Universe Australia 2022. Ajo kishte një diplomë në letërsinë angleze dhe një në psikologji. E ndjera më parë u tha mediave lokale se po planifikonte të transferohej në MB për të vazhduar karrierën e saj dhe të kalonte më shumë kohë me motrën, mbesën dhe nipin dhe të zgjeronte rrjetin profesional dhe social.
Ish-modelja kishte një pasion të madh për kalërimin. Ajo tha njëherë për Gold Coast Magazine se:
Megjithëse kam jetuar pjesën më të madhe të jetës sime në qytet, kam një dashuri të thellë dhe të palëkundur për kuajt. Familja ime nuk është shumë e sigurt se nga erdhi ky pasion, por unë kam hipur në kalë që kur kam qenë 3 vjeçe dhe nuk mund ta imagjinoj jetën time pa të.