Rajoni

Finlanda pret liberalizim të vizave për Kosovën në vjeshtë!

Finlanda pret që në vjeshtë, Bashkimi Europian të përmbyllë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Këtë e deklaroi sot në Prishtinë, ministrja për Çështjet Europiane dhe Drejtimin e Pronësisë, Tytti Tuppurainen.

Ne mbështesim liberalizimin e vizave. Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka liberalizim të vizave e duhet të lëvizet përpara. Mbështesim negociatat që flasin në favor të Kosovës në këtë drejtim. Jam optimiste dhe besoj se muajt në vijim, ndoshta këtë vjeshtë do të shohim rezultate pozitive.

Komentet i bëri pas takimit me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi ndërsa në Prishtinë po qëndron edhe ministri irlandez i Shtetit për Çështjet Europiane, Thomas Byrne, i cili gjithashtu u prit nga Bislimi. Prishtina i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara nga ndërkombëtarët e madje, Komisioni Europian e Parlamenti Europian dhanë rekomandime pozitive për vizat. Por, vendi po mbahet peng nga disa shtete anëtare të Unionit që janë skeptike, me në krye Francën.

Po ashtu, ministrat e Finlandës e Irlandës mbështetën dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë e që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian, duke thënë se presin të arrihet përparim më i madh në këtë proces.

Sipas Byrne-it, dialogu është platforma më e mirë për të zgjidhur dallimet ndërmjet Prishtinës e Beogradit, si dhe për të çuar përpara perspektivën europiane të Kosovës.

Ne në Irlandë e dimë që mund të jetë një rrugë e vështirë për pajtimin sepse kërkon durim dhe çdo marrëveshjes e paqes ka kompromise për të gjitha anët. Kjo është edhe në marrëveshjen që kemi pasur me Irlandën Veriore.

Kosova dëshiron që një marrëveshje finale me Serbinë të përfshijë njohjen reciproke, por Serbia nuk e mbështet këtë variant e pret një zgjidhje kompromisi.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, tha se pas anëtarësimit të Finlandës e Suedisë në NATO, edhe Kosova duhet të bëhet pjesë e kësaj aleance ushtarake.