Bota Celebrities Sport

Fituan në Lojërat Olimpike të Paris 2024, zhgënjehen atletët nga medaljet dhe postojnë fotot e papritura…

Pesë muaj pas përfundimit të Lojërave Olimpike të Parisit 2024, disa atletë kanë shprehur zhgënjimin e tyre për cilësinë e medaljeve që kanë fituar, pasi kanë filluar të tregojnë shenja të dukshme dëmtimi.

Të fitosh një medaljeje olimpike është kulmi i karrierës për çdo sportist dhe pritet që ato të zgjasin një jetë të tërë. Megjithatë, disa fitues kanë publikuar fotografi që tregojnë sesi medaljet e tyre janë dëmtuar shumë në një kohë shumë të shkurtër.

Dy notarë francezë, Clement Secchi dhe Yohann Ndoye-Brouard, të cilët fituan medalje bronzi, kanë ndarë foto të medaljeve të tyre me përshkrime ironike. “Lëkurë krokodili,” shkroi Secchi, ndërsa Ndoye-Brouard krahasoi medaljet me ato të Lojërave të vitit 1924: “Paris 1924.”

Komentuesit në rrjetet sociale gjithashtu shprehën mendimet e tyre, disa prej të cilëve kritikuan cilësinë e medaljeve dhe organizimin e përgjithshëm të lojërave. Ndërkohë, disa të tjerë argumentuan se ky është një proces natyral i materialeve të medaljeve prej bronzi dhe ndodh për shkak të oksidimit dhe korrozionit.

Britanikja Yasmin Harper, që fitoi medalje bronzi në zhytje, gjithashtu tregoi për njolla dhe ndryshime të ngjyrës në medaljen e saj, duke vënë në dyshim cilësinë e tyre.

Çdo medalje olimpike e Parisit 2024 përfshin një pjesë hekuri origjinal nga Kulla Eiffel. Organizatorët kanë deklaruar se janë të vetëdijshëm për ankesat dhe po punojnë me Monnaie de Paris, institucionin përgjegjës për prodhimin e medaljeve, për të hetuar shkaqet e dëmtimit.