Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka bërë të ditur se kanë nisur gjobat e para për vonesat e punimeve në aeroportin e Vlorës.
Karakaçi duke folur pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave bëri me dije se i janë nisur shkresë ortakëve që po punojnë për ndërtimin e aeroportit duke u vendosur një afat 30-ditor për zgjidhjen e situatës.
Sipas tij, qeveria mbetet e angazhuar për përfundimin e projektit dhe është e gatshme të ndërhyjë për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje.
“Aeroporti i Vlorës, fatkeqësisht ka një mosmarrëveshje tregtare mes dy ortakëve. Këta ortakë kanë ardhur vetë me anë të një marrëveshjeje dhe kanë ofertuar për të ndërtuar Aeroportin e Vlorës. Ka një mosmarrëveshje që ka dhënë një impakt edhe në imazhin e aeroportit. Unë i kam dërguar një shkresë së fundmi ku i kam kërkuar që mosmarrëveshjet që kanë me njëri-tjetrin nuk duhet të jenë shkak për mos operimin e Aeroportit të Vlorës dhe i kam lënë një afat prej 30 ditësh për të zgjidhur këtë mosmarrëveshje civile që kanë me njëri-tjetrin.
Nëse e kanë të nevojshme do ulemi së bashku dhe do t’i ndihmojmë për të gjetur një gjuhë të përbashkët. Aeroporti ka ecur mirë për sa i përket avancimit të punimeve. Ne do marrim të gjitha masat që ai aeroport të përfundojë dhe të nisë nga puna sa më shpejt. Për çdo ditë vonese ka penalitete. Ne kemi lëshuar faturat e para të penalitetit për vonesat përkatëse”, u shpreh Karakaçi.