Bota

Friedrich Merz dështon të zgjidhet kancelar i Gjermanisë!

Lideri konservator gjerman, Friedrich Merz nuk arriti të sigurojë shumicën parlamentare për t’u zgjedhur sot kancelar,  duke shënuar një pengesë të papritur për koalicionin e tij të ri me Socialdemokratët (SPD). 69 vjeçari, i cili udhëhoqi CDU/CSU-në drejt fitores në zgjedhjet federale të shkurtit, mori vetëm 310 vota në Bundestag, gjashtë më pak se shumica e nevojshme prej 316.

Pas votimit, presidentja e Bundestagut, Julia Kloeckner ndërpreu seancën parlamentare për t’u dhënë grupeve mundësinë të konsultohen mbi hapat e ardhshëm.

Tani, parlamenti gjerman ka 14 ditë kohë për të zgjedhur Merzin ose një kandidat tjetër me shumicë absolute, me një votim të mundshëm që mund të zhvillohet sërish sot, siç raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Edhe pse konservatorët fituan zgjedhjet me 28.5% të votave, ata kishin nevojë për një partner për të formuar qeveri shumice. Dje nënshkruan një marrëveshje koalicioni me SPD-në, që doli me rezultatin më të dobët në historinë e saj pas Luftës së Dytë Botërore, vetëm 16.4%.

Aleanca CDU/CSU e udhëhequr nga Merz-i dhe partneri në koalicion, Partia Socialdemokrate (SPD), janë zotuar se do ta ringjallin ekonominë e dobësuar e se do ta rindërtojnë ushtrinë, në një kohë kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka vënë në dyshim të ardhmen e sigurisë dhe lidhjeve tregtare transatlantike.

Po ashtu, Merz është zotuar se do ta frenojë emigracionin e parregullt dhe se do ta ndalë rritjen e partisë kundër emigracionit, Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila doli në vend të dytë në zgjedhjet e parakohshme të shkurtit.

AfD-ja u shpall “grup ekstremist i krahut të djathtë” nga shërbimi i Inteligjencës së Brendshme të Gjermanisë, një veprim që ka nxitur një përplasje të re me administratën Trump dhe kundër të cilit, dje AfD-ja nisi veprime ligjore. Me përvojë të madhe në biznes, por me zero përvojë në poste drejtuese qeveritare, në ceremoninë e nënshkrimit, Merz premtoi “qeverisje të fortë, të besueshme e të planifikuar mirë”.

Ne jetojmë në kohë ndryshimesh të thella, përmbysjesh të thella… dhe pasigurie të madhe e kjo është arsyeja pse ne e dimë se është detyra jonë historike që të udhëheqim këtë koalicion drejt suksesit, u shpreh ai.