Bota

Gjermani, zgjedhja e kancelarit pritet më 6 maj!

Më 6 maj, kryetari i CDU-së, Friedrich Merz pritet të zgjidhet kancelar i ri i Gjermanisë. Këtë e njoftuan disa agjenci të lajmeve, referuar informacioneve nga qarqet e partive. Edhe gazeta Tagesspiegel pati përmendur këtë datë. Sipas  njoftimeve, kanë nisur përgatitjet përkatëse në Bundestag.

Miratimi i marrëveshjes së koalicionit nga SPD-ja e CDU-ja është parakusht për zgjedhjen e kancelarit. CDU-ja do ta bëjë në një kongres partie ndërsa SPD-ja, përmes procesit të votimit të anëtarëve të partisë. Forumet e CSU-së e miratuan që të enjten marrëveshjen e koalicionit.

Sipas statutit, në CDU duhet të vendosë një kongres i vogël partie për koalicionin e planifikuar e ndoshta kjo do të ndodhë më 28 prill. Votimi i anëtarëve të SPD-së zhvillohet më 30 prill. Gazeta Tagesspiegel njofton edhe se më 5 maj janë parashikuar mbledhjet e grupeve parlamentare. Pas zgjedhjes së kancelarit, menjëherë duhet të pasojë emërimi i anëtarëve të rinj të kabinetit qeveritar nga presidenti Frank-Walter Steinmeier, si dhe betimi i kabinetit përpara Bundestagut.

Qeveria e pestë e koalicionit me bazë të gjerë

Kancelari zgjidhet nga deputetët e Bundestagut, i cili pavarësisht nga seanca më 8 maj, me rastin e ditës përkujtimore të fundit të luftës përpara 80 vjetësh, nis rregullisht seancat plenare nga 12 maji. Për zgjedhjen e kancelarit parashikohet një seancë e posaçme më 6 maj. Me zgjedhjen e Friedrich Merz-it kancelar, Gjermania për herë të pestë që nga viti 1949 do të ketë një qeveri koalicioni me bazë të gjerë ndërmjet partive CDU, CSU e SPD. Përpara pak ditësh, partitë ranë dakord pas diskutimeve të gjata për marrëveshjen e koalicionit.

CDU deklaron “program të menjëhershëm”

Pas betimit të kabinetit, CDU me qeverinë e saj të re do të nisë nga puna, përpara sezonit të pushimeve të Bundestagut. Sekretari i përgjithshëm i kristiandemokratëve, Carsten Linnemann për këtë deklaroi një “program të menjëhershëm” . Qëllimi është që “edhe në periudhën e pushimeve të verës të ketë një frymë të re në Gjermani”, u shpreh Linnemann në emisionin  “Maybrit Illner” në kanalin e dytë televiziv gjerman, ZDF.

Drejtuesi në detyrë i grupit parlamentar të CDU-së, Thorsten Frei, vuri në dukje fluturime të menjëhershme për kthimin e azilkërkuesve të refuzuar drejt Afganistanit dhe Sirisë. Edhe SPD-ja nuk do të humbasë kohë. Ministri i Mbrojtjes në detyrë, Boris Pistorius, i cili do ta mbajë këtë post edhe në qeverinë e re, planifikon që brenda këtij viti të aplikohet një shërbim i ri ushtarak.