Volodymyr Zelensky u shpreh i bindur se vetëm presidenti amerikan Donald Trump e ka ndikimin e nevojshëm për të detyruar Vladimir Putinin të ulet në tryezën e negociatave me qëllimin t’i jepet fund luftës në Ukrainë.
Duke folur pas samitit të G7, Zelensky tha se çështja e përfundimit të luftës kërkon presion të drejtpërdrejtë mbi Moskën dhe një rol më aktiv të Shteteve të Bashkuara në procesin diplomatik. Ai theksoi se një takim i mundshëm mes tij dhe presidentit rus në SHBA do të mund të ndodhte vetëm me ndërmjetësimin e Uashingtonit.
“Mendoj se Donald Trump mund ta bëjë këtë gjë. Vetëm ai mund t’ia dalë”, deklaroi Zelensky.
Ndërkohë, në samitin e G7, ku morën pjesë SHBA, Japonia, Franca, Britania e Madhe, Italia, Gjermania dhe Kanadaja, udhëheqësit perëndimorë ranë dakord për shtimin e presionit ndaj Rusisë përmes paketave të reja të sanksioneve, veçanërisht në sektorin energjetik. Bashkimi Europian po përgatit paketën e 21-të të masave ndaj Moskës, e cila pritet të përfshijë kufizime të reja ndaj transportit detar dhe flotës ruse të naftës.
Zelensky tha se kishte diskutuar me liderët e G7 masa shtesë për forcimin e presionit ekonomik dhe politik ndaj Rusisë, duke theksuar se për një zgjidhje të mundshme të luftës, “rol kyç mbetet ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.