Sport

FSHF nuk i rinovon kontratën trajnerit të Kombëtares U-17, Andrea Tedesco largohet nga kuqezinjtë

Federata Shqiptare e Futbollit ka konfirmuar largimin e italianit Andrea Tedesco nga stoli i Shqipërisë U-17. Tekniku italian ka përfunduar kontratën një vjeçare me FSHF-në dhe me marrëveshje të përbashkët, palët kanë vendosur të mos e rinovojnë më tej, duke mbyllur bashkëpunimin.

FSHF e falënderon trajnerin Tedesco për përkushtimin dhe gjithë punën e bërë në krye të Kombëtares U-17, ku drejtoi kuqezinjtë në Kampionatin Europian U-17 “Shqipëri 2025” dhe i uron suksese në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

Edhe pse FSHF përmend Euro U-17, Shqipëria në këtë turne të organizuar në vendin tonë nuk mundi të shënonte asnjë gol dhe u eliminua që në fazën e grupeve.

Kujtojmë se para se FSHF të njoftonte largimin e tij, ka qenë Tedesco që në datën 24 qershor njoftoi diçka të tillë.

Trajneri italian ka konfirmuar largimin përmes një mesazhi në kanalet e komunikimit, ku falenderon Shqipërinë dhe shpreh gatishmërinë për sfidën e radhës.

“Çfarë udhëtimi. Faleminderit Shqipëri. Shoh përpara për eksperiencën e radhës”, shkruan ai në profilin e tij zyrtar.

41-vjeçari mori drejtimin e kuqezinjve të vegjël në korrik të vitit 2024 dhe kulmi i zhgënjimit të tij ishte pjesëmarrja në Euro U-17, ku Shqipëria u eliminua në fazën e grupeve, pas tre humbjeve të thella dhe pa asnjë gol të shënuar. Një paraqitje kjo që u vlerësua si zhgënjyese në opinionin sportiv.