Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë që mund të propozojë një emër për kandidat për president, duke mos përjashtuar Vjosa Osmanin, por ai ka kërkuar marrëveshje politike me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Por, në qoftë se ka dashur marrëveshje politike me LDK-në dhe do marrëveshje politike me LDK-në, atëherë LDK mund të propozojë emra. Ne s’kemi nevojë të propozojmë tre, propozojmë një. Mund të jetë edhe Vjosa Osmani, por le të na tregojë ai 66 votat për këtë emër”, tha Abdixhiku.
Vetëvendosje fton PDK-në dhe LDK-në që së bashku të propozojnë tre emra për president në Kosovë.
Në një njoftim, partia në pushtet thotë se do të tërhiqeshin kandidaturat e Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxhës Kollçakut e do të siguroheshin 90 nënshkrime për te tre kandidatët.
Thirrja e partisë në pushtet të shtunën e cila sipas saj vlen deri të dielën në mbrëmje – vjen teksa një afat kushtetues për zgjedhjen e presidentit mbaron të martën.
LVV theksoi në Facebook se do t’i tërhiqte kandidatët e deritanishëm të saj zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca, dhe deputeten Fatmire Mulhaxha-Kollçaku nga gara për president, nëse dy partitë opozitare i sjellin tre emrat e kërkuar.
Ajo shkroi se ky vendim u mor gjatë një mbledhjeje të Kryesisë së partisë të premten mbrëma.
“Ftojmë PDK-në dhe LDK-në që së bashku të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet Presidenti i ri nga legjislatura e 10-të”, shkroi ajo.
Ajo tha se që të tre kandidatët duhet të jenë “figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike”.
“Një zgjidhje duhet të gjendet, sepse ajo është e mundshme. Duhet të përpiqemi dhe angazhohemi së bashku, sepse është detyrë e jona që buron nga përgjegjësia që na e kanë bartur qytetarët e Republikës së Kosovës”, shkroi LVV-ja.