Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot bëri apel për kompromis mes partive parlamentare për zgjedhjen e presidentit të vendit, pasi një afat kushtetues mbi njëmujor për këtë çështje skadon në fillim të javës së ardhshme. Duke folur në një mbledhje të kabinetit qeveritar në Prishtinë, Kurti tha se dalja në zgjedhje të parakohshme parlamentare “nuk është opsion”.
Zgjedhja e presidentit është detyrë kushtetuese e të zgjedhurve të popullit dhe kjo kërkon vullnet për zgjidhje, gatishmëri për kompromis e vendime jo të lehta.
Deklaratat e tij erdhën para takimit që po mban me Lumir Abdixhikun, kryetarin e subjektit opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Ky do të ishte takimi i dytë me mes tyre, pasi ai i fillimuajit përfundoi pa ndonjë marrëveshje për presidentin.
Në fund të marsit, Gjykata Kushtetuese u dha kohë ligjvënësve deri më 28 prill për ta zgjedhur një president të ri.
Që prej atëherë, ka pasur pak lëvizje në drejtim të një marrëveshjeje të mundshme dhe Kurti nuk ka zhvilluar asnjë takim deri tani me partinë kryesore opozitare, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), që thotë se po pret shkresë zyrtare nga kryeministri për takim.
Kurti e ka kritikuar PDK-në se në bisedimet e mëparshme kishte kërkuar që dikush nga partia opozitare të zgjidhej president pa treguar emrin e kandidatit të mundshëm.
Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy raundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.
Nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjë parti, madje as forca në pushtet e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje me 57 deputetë, nuk ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende.
Nëse presidenti i ri nuk zgjidhet brenda afatit kushtetues deri më 28 prill, atëherë vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.