Rajoni

Fuqizimi ekonomik i Ballkanit, DASH mbështet çdo nismë!

Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se mbështet çdo nismë rajonale që bazohet në rregullat e Bashkimit Europian e që synon fuqizimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky koment pasoi takimin në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të “Ballkanit të Hapur”. Për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i DASH-it, nuk pranoi të komentojë mospjesëmarrjen e Kosovës, por tha se “bashkëpunimi më i ngushtë dhe më i integruar në të gjithë Ballkanin Perëndimor do të tërheqë investime në energji, banka, prodhim, shërbime e sektorë të tjerë, në një treg prej 20 milion punëtorësh e klientësh të arsimuar, në zemër të Europës”.

Shtetet e Bashkuara i mbështesin këto dhe nisma të tjera plotësuese, të cilat kolektivisht thellojnë bashkëpunimin ekonomik rajonal e avancojnë rrugën europiane.

Një ditë më parë, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia nënshkruan katër marrëveshje bashkëpunimi për luftën kundër evazionit fiskal, njohjen e diplomave të arsimit të lartë, bashkëpunim kulturor dhe atë në fushën e turizmit.

I dërguari i posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Amerika mbështet iniciativën e “Ballkanit të Hapur”. Por, shtoi se shtetet që i janë bashkuar duhet të angazhohen për trajtim të barabartë për secilin vend të rajonit.

Që “Ballkani i Hapur” të jetë i suksesshëm, duhet të jetë i hapur për të gjithë. Çdo iniciativë për zhvillim ekonomik duhet të përfshijë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë të barabartë.

Escobar ftoi pjesëmarrësit të harmonizojnë “Ballkanin e Hapur” me iniciativat e tjera aktive në rajon, përfshirë Procesin e Berlinit dhe porositi udhëheqësit ballkanikë, të mos e politizojnë iniciativën. Edhe pse kishte ftesë për pjesëmarrje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, refuzoi samitin, duke vënë në dukje se “vendi mbetet i angazhuar në Procesin e Berlinit”. Sipas tij, ““Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja, se një nisme për treg të përbashkët rajonal”.