Bota

Furnizimi me vaksinat anti-COVID, imuniteti i tufës…ja çfarë thonë shefi i OBSH-së dhe zyrtari evropian!

Organizata Botërore e Shëndetësisë dënon atë që e cilëson “zgjerim i hendekut në furnizimin me vaksina kundër koronavirusit mes vendeve të pasura e të varfëra”. Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus konstaton thellimin e tij të përditshëm. Gjatë një konference virtuale të organizuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe për të adresuar imunizimin global, Tedros tha:

Për sa kohë virusi përhapet, njerëzit do të vazhdojnë të vdesin, tregtia dhe udhëtimet vijojnë të çrregullohen ndërsa rimëkëmbja ekonomike, të vonohet.

 

Në botë identifikohen 36 vende ku ende nuk ka nisur vaksinimi për shkak se nuk kanë marrë as edhe një dozë të vetme. Pritshmëritë e Brukselit zyrtar janë që imuniteti i tufës nga COVID-19 të arrihet në mesin e muajit korrik në Bashkimin Evropian. Qëndrimin e shpreh Eurokomisioneri për Tregun e Brendshëm, njëherazi shef i Task Forcës për Vaksinat, Thierry Breton.

 

Sipas zyrtarit europian, e para pasaportë shëndetësore evropiane do të jetë në dispozicion në të gjithë Bllokun brenda dy apo tre muajve, e disponueshme si dokument fizik e po ashtu digjital. Në smartphone do të paraqitet një kod QR dhe lloji i vaksinës së kryer. Për ata që ende nuk janë vaksinuar ose nuk duan ta bëjnë vaksinën kundër COVID-19/ës, në certifikatë do të shënohet rezultati i testit të fundit të kryer.