Bota

G7 ngre alarmin gjatë samitit: Armët bërthamore të Kinës mund të cenojnë stabilitetin global!

Arsenali bërthamor në rritje i Kinës është një kërcënim për stabilitetin global, paralajmëruan të premten udhëheqësit e G7.

Sipas tyre Kina ka një rezervë prej rreth 350 kokash bërthamore, edhe pse një numër i vogël kur krahasohet me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë.

Megjithatë raportohet se kjo sasi po rritet me shpejtësi dhe vendi mund të ketë 1500 koka të tilla deri në vitin 2035, sipas një vlerësimi të Pentagonit.

Shqetësimet rreth rritjes së sasisë janë ngritur në Perëndim dhe udhëheqësit e G7 paralajmëruan se zgjerimi “pa transparencë dhe dialog kuptimplotë përbën një shqetësim për stabilitetin global dhe rajonal”.

Presidenti kinez Xi Jinping paraqiti të premten një plan ambicioz për zhvillimin e Azisë Qendrore. Ky plan përfshin ndërtimin e infrastrukturës dhe zgjerimin e tregtisë, duke shënuar daljen e Kinës si një lider i ri në një rajon që historikisht ka rënë brenda sferës së ndikimit të Rusisë.

Duke iu drejtuar Samitit Kinë-Azi Qendrore i organizuar në Kinën veriperëndimore, presidenti Xi shprehu gatishmërinë e Kinës për të lidhur strategjitë e zhvillimit me Kazakistanin, Kirgizinë, Taxhikistanin, Turkmenistanin dhe Uzbekistanin.

Ai theksoi promovimin e modernizimit për të gjitha këto vende.

“Ky samit i ka dhënë një shtysë të re zhvillimit dhe rivitalizimit të gjashtë qarqeve dhe ka instaluar energji të fortë pozitive në paqen dhe stabilitetin rajonal”, tha Xi në një konferencë shtypi me homologët e tij të Azisë Qendrore.