Një gjeneral i lartë rus u vra sot në mëngjes pasi një lëndë shpërthyese ishte vendosur nën makinën e tij në jug të Moskës. Fanil Sarvarov, kreu i Drejtorisë së Stërvitjes Operative të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ndërroi jetë nga plagët e marra në momentin e shpërthimit.
Svetlana Petrenko, zëdhënëse e Komitetit Hetues të Rusisë, deklaroi se hetuesit janë duke ndjekur disa pista për zbardhjen e ngjarjes, përfshirë mundësinë që krimi të jetë orkestruar nga shërbimet e inteligjencës ukrainase.
Hetuesit po ndjekin pista të shumta hetimi në lidhje me vrasjen. Njëra prej tyre është se krimi u orkestrua nga shërbimet e inteligjencës ukrainase, u shpreh Petrenko.
Mediat ruse raportuan se shpërthimi ndodhi rreth orës 07:00 të mëngjesit në parkingun e një rruge në zonën Yaseneva të Moskës, ndërsa gjenerali ishte brenda makinës në momentin e shpërthimit.