Aktualitet

Gjykata Evropiane dënon Italinë për mbetjet toksike: Kanë toleruar mafien!

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut vendosi se Italia shkeli të drejtat e 2.9 milionë qytetarëve që jetojnë në zonat e ndotura përreth Napolit.

Gjykata i dha vendit 2 vjet për të zgjidhur problemin që vjen nga ndotja toksike. Zona njihet si “Toka e Zjarrtë”, për shkak të hedhjes dhe djegies së mbeturinave dhe mbetjeve toksike për dekada me radhë.

Autoritetet thonë se organizata mafioze Kamorra është e lidhur me këtë biznes.

Gjykata konfirmoi se rritja e rasteve me kancer tek njerëzit dhe ndotja e ujit të pijshëm është regjistruar në 90 komuna dhe konstatoi se autoritetet italiane kanë qenë në dijeni të problemit që prej vitit 1988, por nuk vepruan.

Banorët i kanë raportuar prej kohësh problemet shëndetësore për shkak të hedhjes së mbeturinave, që ka ndotur puset e përdorura për ujitje, tokat e mbjella që furnizojnë me ushqime vegjetale gjithë Italinë.

Çështja u dërgua në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut nga disa dhjetëra banorë dhe 5 shoqata civile.