Rajoni

Gjykimi në Hagë i ish-krerëve të UÇK-së drejt fundit!

Në dy vjet, mbi 125 dëshmitarë të ftuar nga Prokuroria e Specializuar kanë dhënë dëshmitë e tyre lidhur me akuzat që rëndojnë mbi ish-krerët e UÇK-së. Tani që Prokurorisë po i përfundon koha për të vërtetuar akuzat e saj, e ardhmja e gjyqit nuk është e sigurt.

Në tetor të vitit 2020 u konfirmua aktakuza për krime lufte dhe kundër njerëzimit ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen se kishin qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” që shënjestronte ata që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë” për të “fituar pushtet” gjatë e pas luftës së fundit në Kosovë.

Avokatët e të akuzuarve kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj klientëve të tyre, duke argumentuar se UÇK-ja nuk kishte një strukturë komande efikase.

Në kohën e ngritjes së aktakuzës, Thaçi kishte qenë president i Kosovës; Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK); Selimi, deputet dhe drejtues i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës. Të katërt, sipas Prokurorisë, mbanin poste të larta edhe përgjatë kohës që mbulon aktakuza.

Tani që topi ka kaluar në fushën e ekipit mbrojtës, gjithçka varet nga strategjia që vendosin ekipet mbrojtëse të të akuzuarve. Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe mbrojtja e Thaçit s’kanë dashur të komentojnë mbi kohëzgjatjen e procesit.

Por, një gjë që ishte përfolur disa herë si opsion është lirimi i të akuzuarve nga paraburgimi në Hagë pas përfundimit të intervistimit të dëshmitarëve nga Prokuroria. Në nëntor të vitit të kaluar, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, pati deklaruar se iu takon gjykatësve që të vendosin nëse do të lirojnë nga paraburgimi të akuzuarit pasi Prokuroria e Specializuar të përfundojë rastin.

I dërguari amerikan për operacione të posaçme, Richard Grenell, disa herë ka bërë thirrje lidhur me mbylljen e Gjykatës Speciale. Më 13 prill, ai kërkoi ndërprerjen e financimit për Specialen, duke argumentuar se “gjithçka është politikë” dhe se “miliarda janë shpenzuar kot”. Në përvjetorin e pavarësisë së Kosovës këtë vit, e quajti “padrejtësi të madhe” qëndrimin e Thaçit në Hagë.