Sport

Me flamuj kuqezi e të UÇK-së, tifozët nga Shqipëria plot entuziazëm drejt Prishtinës!

Qindra tifozë nga Shqipëria janë nisur drejt Prishtinës për të ndjekur nga afër dhe për të përkrahur Kombëtaren e Kosovës në ndeshjen ndaj Turqisë që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Të pajisur me flamuj kombëtarë dhe flamuj të UÇK-së, tifozët shqiptarë kanë krijuar një atmosferë entuziazmi dhe mbështetjeje të madhe që në rrugëtimin e tyre drejt kryeqytetit të Kosovës.

Aktualisht, shumë prej tyre ndodhen në pikën kufitare të Vërmicës, në anën kosovare të doganës, ku po presin për të hyrë në Kosovë dhe për të vijuar udhëtimin drejt Prishtinës.

Fluksi i madh i automjeteve që vijnë nga Shqipëria ka sjellë krijimin e radhëve në kufi, megjithatë burime nga terreni bëjnë të ditur se pritjet deri tani nuk janë të gjata dhe lëvizja po vijon normalisht.

Prania e madhe e tifozëve nga Shqipëria edhe në këtë sfidë dëshmon edhe një herë lidhjen e fortë shpirtërore dhe sportive mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit, duke e kthyer këtë ndeshje në një festë të përbashkët kombëtare.

Sytë e të gjithë shqiptarëve janë sot në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ të Prishtinës, aty ku në orën 20:45 nis finalja play-off mes Kosovës dhe Turqisë.

Ndeshja teke do vendos se cila mes dy skuadrave do jetë pjesë e Grupit D të Botërorit. Vetëm dhjetë vite pas pranimit në FIFA dhe UEFA, Kosova sheh një nga arritjet më të mëdha në futboll, teksa grupet e Kupës së Botës do ishin realizimi i një ëndrre të kahershme për ‘Dardanët’.