Armando Sadiku ka nisur në mënyrë pozitive aventurën e tij te AC Bellinzona, duke gjetur menjëherë rrugën e rrjetës në debutimin si titullar. Sulmuesi 33-vjeçar shqiptar realizoi një gol të bukur në minutën e 33-të të sfidës kundër FC Lausanne, duke i dhënë epërsinë e përkohshme skuadrës së tij në takimin e vlefshëm për javën e dytë të Challenge League, kategoria e dytë e futbollit zviceran.
Pavarësisht avantazhit të krijuar, Bellinzona nuk arriti ta mbante rezultatin dhe u detyrua të kënaqet me një barazim 2-2. Ky është rezultati i dytë zhgënjyes për skuadrën, e cila pas dy javëve të para të kampionatit gjendet në fundin e tabelës me vetëm një pikë, çka e bën të qartë se ka ende shumë punë për të bërë për të ndryshuar drejtimin e sezonit.
Sadiku, i cili u prezantua më 30 korrik si afrimi më i bujshëm i merkatos verore për Bellinzonën, pritet të luajë një rol kyç në ofensivë. Me përvojën dhe instinktin e tij të sulmuesit, ai shihet si një nga armët kryesore për të rikthyer ekipin në rezultatet pozitive dhe për të synuar zona më të larta në renditje gjatë vazhdimit të sezonit.