Bota

Grabitësit vranë karabinierin në Itali/ Ishte në ditën e fundit të punës!

Sot Italia u trondit nga një ngjarje tragjike me pasojë vdekjen e një karabinieri, i cili u vra me armë zjarri gjatë një operacioni pas një grabitjeje në Francavilla Fontana, provinca e Brindisit.

Viktima është Carlo Legrottaglie, 59 vjeç, me origjinë nga Ostuni e mësohet se ishte në ditën e tij të fundit të punës aktive. Priste të merrte lejen më 13 qershor, pra nesër e të dilte në pension muajin e ardhshëm. Legrottaglie ndërroi jetë pasi u qëllua nga njëri prej autorëve të grabitjes që po ndiqte në këmbë, çka pasoi një ndjekje me makinë.

Karabinieri ndërhyri bashkë me kolegun kur u sinjalizuan për një grabitje në një pikë karburanti në periferi të qytetit. Ata lokalizuan një Lancia Y me ngjyrë të errët, me të cilën po lëviznin grabitësit, të cilët u përpoqën të largoheshin. Pas disa përplasjesh me makinat, grabitësit braktisën automjetin dhe u shpërndanë në këmbë.

Gjatë ndjekjes, Legrottaglie u përball me njërin nga dy grabitësit, i cili e qëlloi për vdekje. Pas mesdite u dha lajmi për arrestimin e autorëve që sërish bënë rezistencë me armë zjarri kur u lokalizuan në Grottaglie në Taranto. Mediat italiane raportojnë se njëri prej tyre ka mbetur i plagosur rëndë. Kolegu i Legrottaglie-s ndodhet në gjendje shoku. Autoritetet vijojnë hetimet.