Design Lifestyle

Përse Italia po zgjidhet si destinacioni ideal për dasma nga VIP-at?

Italia po forcon gjithnjë e më shumë pozicionin e saj si një nga destinacionet kryesore në botë për dasma luksoze të personazheve të famshëm, duke e shndërruar “wedding tourism” në një nga sektorët më dinamikë të turizmit. Emra të njohur ndërkombëtarë, si Dua Lipa dhe Callum Turner, janë ndër ata që kanë zgjedhur Italinë për ceremonitë e tyre, ndërsa raste të tjera të mëparshme si George dhe Amal Clooney në Venecia, Kim Kardashian dhe Kanye West në Firence, apo Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez në Venecia, kanë tërhequr vëmendje globale dhe mijëra vizitorë.

Sipas Ministrit të Turizmit, Gianmarco Mazzi, këto ngjarje nuk janë thjesht ceremoni private, por projekte të mëdha organizative që funksionojnë si evente ndërkombëtare, duke përfshirë kompani, staf lokal, struktura hoteliere dhe shërbime të specializuara. Ai thekson se ndikimi i tyre shkon shumë përtej ditës së dasmës. Italia, me peizazhet e saj ikonike, qytetet historike, kuzhinën e njohur dhe klimën romantike, mbetet një nga vendet më të kërkuara në botë për dasma luksoze. Nga bregdeti i Amalfit deri në Toskanë e Siçili, çdo vend shndërrohet në skenë ideale për evente të nivelit të lartë.

Sipas autoriteteve, këto dasma sjellin një efekt të madh ekonomik: rrisin qëndrimin e turistëve, shfrytëzimin e hoteleve, restoranteve dhe shërbimeve lokale, si dhe gjenerojnë publicitet global falë mediave dhe rrjeteve sociale. Megjithatë, jo gjithmonë mungojnë debatet, pasi disa qytetarë kanë shprehur shqetësime për kufizimet e përkohshme në hapësirat publike gjatë këtyre eventeve. Pavarësisht kësaj, autoritetet theksojnë se përfitimet ekonomike dhe promovimi ndërkombëtar janë shumë më të mëdha. Në këtë mënyrë, Italia vazhdon të forcojë imazhin e saj si “brand” global i romantizmit dhe luksit, ku çdo dasmë e një celebrity kthehet në një fushatë promovuese natyrale për turizmin e vendit.