Bota

Greqia kërkon zgjimin e Evropës nga letargjia!

“Evropa duhet të zgjohet nga letargjia e saj gjeopolitike dhe ekonomike”. Kjo u theksua nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, në një intervistë të dhënë në përfundim të Samitit të Selanikut 2025, të organizuar nga Federata e Industrive të Greqisë (SVE), si dhe nga Forumi Ekonomik Delphi.

Kam folur shumë herë për nevojën që Evropa të zgjohet nga letargjia gjeopolitike dhe ekonomike, në të cilën, për fat të keq, ndodhet prej disa kohësh. Dhe për fat të keq, zhvillimet e fundit e ky këndvështrim i ndryshëm i gjërave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës po na detyron jo vetëm ta shohim të vërtetën në sy, por edhe të lëvizim me një shpejtësi shumë të madhe e të zbatojmë vendimet që kemi diskutuar prej kohësh, – deklaroi shefi i qeverisë së Athinës.

Mitsotakis mbërriti në Samitin e Selanikut menjëherë pas përfundimit të takimit të liderëve evropianë për Ukrainën, të thirrur nga presidenti francez, Emmanuel Macron, në të cilin mori pjesë përmes telekonferencës. Mitsotakis vuri në dukje se Këshilli i ardhshëm Evropian do të jetë një nga më vendimtarët se sipas tij, “atje do të na kërkohet të ratifikojmë dhe të formulojmë vendime që do të na lejojnë më në fund të përballemi me këto sfida”.

Më herët, Macron tha se Franca dhe aleatët e saj ranë dakord se “të drejtat e Ukrainës dhe shqetësimet për sigurinë evropiane duhet të merren parasysh në çdo marrëveshje të mundshme për përfundimin e luftës në Ukrainë”.

Qëndrimi i Francës dhe i aleatëve të saj është i qartë dhe i bashkuar. Ne dëshirojmë paqe në Ukrainë që do të ishte e qëndrueshme.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka befasuar Bashkimin Evropian, duke thënë se është gati të rinisë diplomacinë me presidentin rus, Vladimir Putin, tre vjet pasi Rusia nisi luftën kundër Ukrainës. Amerika dhe Rusia kanë mbajtur një takim në Riad më 18 shkurt, në të cilin nuk u ftua Kievi e as Evropa.

Emmanuel Macron mbajti një takim të ri për Ukrainën dje pasdite, në përpjekje për të koordinuar përgjigjen evropiane për atë që ai e ka cilësuar si “kërcënim ekzistencial” nga Rusia, pas ndryshimit të papritur të politikës amerikane.