Edhe Athina zyrtare uroi Bajram Begajn për zgjedhjen si Presidenti i ri i Republikës. Në urimin e publikuar në rrjetet sociale, Ministria e Jashtme thekson se “Greqia pret bashkëpunim të ngushtë drejt avancimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe promovimit të sigurisë e stabilitetit rajonal”.
Greqia i shpreh urimet e ngrohta Bajram Begajt për zgjedhjen President i ri i Shqipërisë. Ne presim bashkëpunim të ngushtë drejt avancimit të mëtejshëm të marrëdhënieve tona dypalëshe dhe promovimit të sigurisë dhe stabilitetit rajonal.
#Greece extends its warm congratulations to Bajram Begaj for being elected as new President of #Albania. We look forward to close cooperation towards further advancing our bilateral relations and promoting regional security and stability
— Υπουργείο Εξωτερικών (@GreeceMFA) June 4, 2022
Dje në raundin e katërt të votimit në Kuvend, Bajram Begaj u zgjodh në krye të shtetit, me 78 vota pro. Ish-shefi i Shtabit të Përgjthshëm të Forcave të Armatosura u propozua të premten nga maxhoranca socialiste, që e mbështeti dje me 74 vota. Tre të tjera i dhanë deputetët social-demokratë dhe një tjetër mendohet të ketë kaluar nga të opozitës, pasi tre deputetë të LSI-së dhe po kaq të PDIU-së, morën pjesë në votim.
Deputetët që mbështesin ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili ka marrë drejtimin e Partisë Demokratike, u larguan nga salla, ndërsa ata që si kryetar të grupit demokrat njohin Enkelejd Alibeajn, nuk morën pjesë në seancë. Sipas tyre, “kryeministri nxorri nga xhepi zarfin me emrin e kandidatit të paracaktuar nga mafia e pronave shtetërore”.
Palët nuk arritën marrëveshje për një figurë konsensuale, çka bëri që tre raundet e para të dështonin. Ndryshe nga tre raundet e para, në të katërtin dhe të pestin, nuk kërkohet shumicë e cilësuar për të zgjedhur presidentin.
Pasi kërkoi lirimin nga detyra, duke lënë uniformën ushtarake, presidenti i zgjedhur e ndoqi procesin e votimit në sallën e Parlamentit të Shqipërisë. Ai do të marrë detyrën më 24 korrik. Pas seancës së pasdites, kryeministri Edi Rama tha:
I kemi dhënë Shqipërisë një president normal, një figurë të pakontestueshme në aspektin e integritetit, humanizmit e patjetër dhe të përkushtimit për vendin dhe për njerëzit.