Aktualitet

Greva e naftëtarëve të ‘Bankers’, Sindikata i kërkon ndihmë Ramës!

Prej 8 ditësh, 10 naftëtarë janë në grevë urie, pa arritur dialogun me Bankersin për rritjen e pagave. Në këto kushte sindikata kërkon nga Kryeministri Rama të ndërmjetësojë me kompaninë për të zgjidhur situatën.

LEXO EDHE: Greqia drejt miratimit të ditës së punës 13-orëshe/Sindikatat dhe opozita: Skllavëri!

Letra është përcjellë për dijeni edhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.

“Duke qenë se situata është bërë kritike dhe rrezikon si shëndetin e punonjësve, ashtu edhe sigurinë e vendburimit, kërkojmë ndërhyrjen tuaj të menjëhershme dhe angazhimin e institucioneve përkatëse për të ndërmjetësuar dhe zgjidhur këtë situatë në mënyrë të drejtë e të qëndrueshme. Kërkojmë gjithashtu që të garamohet trajton dinjitoz për naftëtarët, të cilët me përkushtim e sakrificë kanë kontribuar për vite me radhë në sektorin strategjik të kësaj industrie”, thuhet në letrën dërguar Ramës.

Grevistët kërkojnë rritjen e pagave dhe përmirësimi i kushteve të punës, zbatimin e statusit të naftëtarit.

LEXO EDHE: Belgjika në grevë të përgjithshme, avionët, trenat dhe autobusët fikin motorët, shkak reformat e qeverisë!

Ndërkohë, Bankers deklaron se do të bëjë vetëm rritjen e trajtimit ushqimor në nëntor, pasi nuk është në gjendje të miratojë ndonjë rritje shtesë të pagave. Sipas saj, ka presione financiare, përfshirë rënien e çmimit të naftës në bursë.

“Pavarësisht sfidave aktuale, kompania mbetet e përkushtuar për të zbatuar rritjen e planifikuar të trajtimit ushqimor, që do të hyjë në fuqi më 1 nëntor. Aktualisht, ne nuk jemi në gjendje të miratojmë ndonjë rritje shtesë, për shkak të presioneve të vazhdueshme financiare, duke përfshirë rënien e çmimeve të naftës në 60 dollarë amerikanë për fuçi dhe parashikimet që sugjerojnë një rënie të mëtejshme vitin e ardhshëm dhe gjithashtu një kurs këmbimi të pafavorshëm të dollarit amerikan i cili ka rritur kostot lokale me 30%. Fokusi ynë mbetet në sigurimin e vazhdimësisë së pagave dhe ruajtjen e stabilitetit financiar të kompanisë”, thuhet në reagimin e kompanisë.