Në Greqi, parlamenti po përgatitet të votojë një projektligj të diskutueshëm që në kushte të caktuara, lejon një ditë pune 13-orëshe. Qeveria konservatore e quan reformë që promovon “punë të drejtë dhe fleksibël për të gjithë”, ndërsa sindikatat greke argumentojnë se legjitimon “skllavërinë e paguar”.
Projektligji grek përcakton se punonjësit e sektorit privat mund të punësohen nga i njëjti punëdhënës për 13 orë në ditë (përveç ditës së zakonshme 8-orëshe të punës) për jo më shumë se 37 ditë në vit, në bazë vullnetare. Orët shtesë do të kompensohen me një rritje page prej 40%. Një ligj aktual (i miratuar gjithashtu nga konservatorët dy vjet më parë) tashmë lejon ditë pune 13-orëshe, por vetëm për dy punëdhënës të ndryshëm.
Pavarësisht protestave, partia në pushtet po ecën përpara. Dy greva të përgjithshme janë organizuar këtë muaj, më e fundit dje, për të kundërshtuar iniciativën që konsiderohet se “i rikthen të drejtat e punëtorëve në Mesjetë”, siç shpallej në pankartat që u shfaqën në krye të demonstratave në qytetet kryesore të Greqisë.
Konfederata e Përgjithshme e Punëtorëve Grekë beson se reforma “rrezikon shëndetin dhe sigurinë e punonjësve e shkatërron çdo ekuilibër midis jetës personale dhe profesionale”, siç thuhet në një letër drejtuar Ministrit Kerameos.
Partitë e opozitës janë gjithashtu në barrikada, duke i kërkuar qeverisë të heqë dorë nga projektligji. Nikos Androulakis, kreu socialist i PASOK-ut tha se “Demokracia e Re po shkatërron sistematikisht të drejtat e punëtorëve”.
Presidenti i Syriza-s, Sokratis Famellos:
Greqia është një vend me punonjës të varfër, të cilët punojnë më shumë se mesatarja europiane, por paguhen më pak dhe nuk ia dalin dot mbanë.”
Pavarësisht rritjes ekonomike e rënies së papunësisë në vitet e fundit, fuqia blerëse e grekëve mbetet më e ulëta në BE, pas Bullgarisë. Ata punojnë mesatarisht 39.8 orë në javë, krahasuar me mesataren e BE-së prej 36 orësh, sipas Eurostat-it.
Shpesh, grekët bëjnë disa punë, sepse pagat janë të pamjaftueshme, ankohet sindikata (GSEE), duke shtuar se shumë nuk do të jenë në gjendje t’i thonë jo javës 13-orëshe, duke pasur parasysh çekuilibrin e fuqisë midis punëdhënësit dhe punonjësit.
Ministri Kerameos i hedh poshtë këto akuza.
Ka punëtorë që kërkojnë të jenë në gjendje të punojnë me orë më të gjata dhe ata që nuk duan të punojnë jashtë orarit do të mbrohen.
Ministri sqaroi edhe se reforma nuk ndikon në ditën normale të punës e se regjimi 13-orësh do të ndikojë mesatarisht në tre ditë në muaj.
Disa punëtorë lëvizin midis punëdhënësit të tyre të parë dhe të dytë në të njëjtën ditë, pa fituar as gjysmë euro më shumë. Por, ne po u japim atyre mundësinë të bëjnë atë që bëjnë pa pasur nevojë të lëvizin dhe me një rritje page prej 40%.