Në Hagë vazhdon dhe sot për të dytën ditë radhazi, dëshmia e ish-ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, dëshmitar i mbrojtjes në gjyqin për ish-drejtuesit e UÇK-së. Diplomati i SHBA-ve u thirr nga ekipi i Hashim Thaçit, ish-udhëheqës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë dëshmisë, Rubin theksoi se kryesisht, Thaçi kishte një rol politik dhe se nuk ka patur kompetenca për vendime ushtarake brenda UÇK-së. Ai shtoi se Hashim Thaçi duhej që më parë të merrte miratimin e komandantëve në lidhje me çdo vendim ushtarak të rëndësishëm.
Po ashtu, deklaroi se nuk kishte asnjë informacion që lidh Thaçin ose të akuzuarin tjetër, Jakup Krasniqi, me pretendimet për vrasje apo ekzekutime.
James Rubin dëshmoi për disa orë në Hagë mbi njohjen, takimet dhe komunikimet me Thaçin e pjesëtarë të tjerë të UÇK-së. Aktakuza ndaj Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, përfshin burgosje të paligjshme, torturë, vrasje dhe persekutim, akuza që ata i kanë mohuar.
Gjatë dëshmisë, Rubin tha se ndërmjetësuesi i SHBA-ve për Kosovën në Rambuje, Christopher Hill, kishte bërë përpjekje të dëmtonte figurën e tij, si edhe të sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.
Christopher Hill tregonte njëanshmëri që e shihja gjatë gjithë kohës së tij si udhëheqës, njëanshmëri në favor të LDK-së dhe kundër UÇK-së. Unë nuk mbaja anë. Christopher Hill po përpiqej të më zvogëlonte rolin tim. E bëri këtë në mënyrë të përsëritur e po ashtu u përpoq ta zvogëlonte edhe sekretaren Albright para gazetarëve, duke pretenduar gabimisht se ajo e kishte favorizuar liderin e delegacionit të UÇK-së në Rambuje, kur në fakt ishte delegacioni shqiptar i Kosovës që e kishte zgjedhur si udhëheqës dhe miratimi i tij ishte i domosdoshëm që ne të arrinim objektivat.
Prokurori e pyeti edhe nëse Albright e kishte inkurajuar që të krijonte marrëdhënie me Thaçin gjatë Konferencës së Rambujesë dhe Rubin konfirmoi se po, duke pranuar se “përqendrimi i tij ishte veçanërisht te Thaçi”. Prokurori e pyeti ndër të tjera edhe nëse i kishte dhënë këshilla Thaçit për veshjen, por James Rubin u përgjigj se një gjë e tillë nuk ishte e domosdoshme.