Në Hagë ku procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit e ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së po vijon me dëshmitarët e mbrojtjes, diplomati amerikan James Rubin tha se Thaçi nuk kishte autoritet të plotë për të diktuar rregulla dhe kushte brenda UÇK-së, duke u detyruar të konsultohej me persona të tjerë për miratimin e vendimeve.
Ai deklaroi se disa nga këta persona i konsideronte “ekstremistë”, që sipas tij, kërkonin veprime të menjëhershme, ndërsa Thaçi kishte një qasje më pragmatike.
Ne e bindëm delegacionin shqiptar të Kosovës që pavarësinë do ta kishin, por fillimisht shpëtoni popullin. Kur shumica vendosi të përqafonte mbështetjen e NATO-s dhe Perëndimit, grupet ekstremiste humbën ndikimin e tyre.
Gjatë Konferencës së Rambujesë, Thaçi më shprehu shqetësimet e tij se nuk kishte autoritet të plotë për të nënshkruar marrëveshjen në emër të UÇK-së. Rubin tregoi se në atë kohë, sekretarja e Shtetit, Albright i pati thënë Thaçit se lidershipi duhet të marrë vendime të vështira dhe se pa pranimin e tyre, nuk do të kishte mbështetje nga Perëndimi.
Thaçi tha se i vinte keq, por përgjigjja e tij ishte jo. Ish-presidenti ishte nën presion nga komandantët e UÇK-së dhe nga financuesit europianë.
Rubin përmendi se qëllimi i negociatave ishte të gjendej një kompromis që të mund të vazhdohej në fazën tjetër, pa bërë deklarata specifike për pavarësinë e Kosovës.
Por, për Thaçin, nënshkrimi i ndonjë deklarate që s’e specifikonte pavarësinë do të konsiderohej tradhti.
Ne nuk kishim ende ndonjë qëndrim të qartë sa i takon pavarësisë. Neve na duhej një kompromis që të kalonim në fazën tjetër. Thaçi kishte rol politik, por jo kompetenca. Atij i kishin thënë se nëse nuk e përmend pavarësinë do të ishte tradhtar.
Mbrojtja në gjykimin e katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nisi sot me dëshmitë para Dhomave të Specializuara në Hagë dhe dëshmitari i parë i thirrur nga mbrojtja e Thaçit ishte pikërisht ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin.
Aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit, si dhe Selimit përfshin burgosje të paligjshme, torturë, vrasje e persekutim, akuza që ata i kanë mohuar.