Në Dhomat e Specializuara në Hagë sot përfunduan deklaratat hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, avokatit të viktimave dhe ekipeve të mbrojtjes të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi. Ata akuzohen për krime lufte e kundër njerëzimit.
Në ditën e tretë të gjykimit, mbrojtja e Jakup Krasniqit ishte e fundit që mbajti deklaratat hyrëse, duke argumentuar se ndaj ish-zëdhënësit të UÇK-së, organi i akuzës “nuk ka prova” që e lidhin atë me ndonjë nga krimet e pretenduara. Vetë Krasniqi iu drejtua trupit gjykues duke thënë se nuk ka kryer ndonjë krim, as “para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës”.
Eshtë absurde akuza se unë dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi kemi persekutuar anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Unë vetë kam qenë pjesë e LDK-së.
Prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë drejtuar një “ndërmarrje të përbashkët kriminale” që ka shënjestruar kundërshtarët e perceptuar të UÇK-së, përfshirë mbështetësit e LDK-së, Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Avokatja mbrojtëse e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra dha deklaratën hyrëse. Alagendra tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka prova që e lidhin klientin e saj me krimet e pretenduara.
Provat e Prokurorisë do të tregojnë rolin e vërtetë të Krasniqit. Ai nuk kishte kompetenca dhe përgjegjësi që kërkon t’ia ngarkojë ZPS-ja. As aktivitetet nuk mund t’i lidhen me krime që pretendohen nga prokuroria.
Avokatja u shpreh se Krasniqi u emërua zëdhënës i UÇK-së në qershor 1998 e të gjithë aktivitetin e pati publik.
Zëdhënësit nuk përfshihen në çështje operacionale. Krasniqi u emërua zv.komandant i UÇK-së për një periudhë të shkurtër kohore, por jo për çështje operacionale.
Sa i përket dokumenteve që ZPS-ja gjeti në shtëpinë e Krasniqit pas arrestimit të tij, mbrojtja i kërkon të vërtetojë autorësinë e tyre.
Gjetja e këtyre dokumenteve në shtëpinë e tij nuk i bën autentike. Ai nuk ka qenë në një marrëdhënie hierarkike me autorët fizikë të krimeve. Nuk kishte aftësi për të kontrolluar në mënyrë efektive ndonjë ushtar. Prokuroria ka dështuar ta bëjë lidhjen e krimeve të pretenduara me vendndodhjen fizike të Krasniqit në periudha të ndryshme kohore gjatë vitit 1999. Provat do të tregojnë se organizimi i UÇK-së ishte i ndryshëm në vende të ndryshme dhe kohë të ndryshme.