Aktualitet

Hapësira publike, Rama: Platformat e turlillojshme do të zhbëhen hap pas hapi!

Përmes një statusi në Facebook, sot kryeministri Edi Rama reagoi në lidhje me lirimin e hapësirave publike, duke theksuar se procesi do të vijojë hap pas hapi. Sipas shefit të qeverisë, jo vetëm ndërtimet metalike, por edhe platformat e ndryshme nën to do të hiqen gradualisht, derisa të rivendoset kufiri që garanton hapësirat komunitare e përcakton qartë shtrirjen e tavolinave, karrigeve dhe çadrave të bizneseve.

Sigurisht jo vetëm ngrehinat e hekurit, po edhe platformat e turlillojshme nën to do të zhbëhen hap pas hapi, përditë e me durim, derisa të vendoset kudo kufiri që garanton lirinë e hapësirës komunitare dhe përcakton deri ku mund të shtrihen tavolinat, karriget e çadrat e njësive tregtare, shkroi kryeministri Rama.

Edhe dje në një komunikim në Facebook, Rama foli sërish për hapësirat publike, duke premtuar se nuk do të ketë selektivitet dhe se hap pas hapi, bizneset do të heqin edhe platformat, përveç rrethimeve.

Ne po bëjmë Rregulloren Kombëtare, që do të vendosë qartë kufijtë. Kemi studiuar rregulloret e shumë qyteteve, si Barcelonë e Kopenhagen, se sa duhet të jetë absolutisht bosh. Do t’i bëjmë të qarta formulat dhe detyrimet/ndëshkimet. Sa i përket ndëshkimeve, nuk është ideja që “hajde të ndëshkojmë. Të gjitha platformat dhe dërrasat që janë lënë do të hiqen të tëra. Do të hiqen hap pas hapi. Ndëshkimet do të jenë të ashpra që të mos i shkojë mendja njeriu të rinisë lojën nga e para, kur forcat e rendit kthejnë kurrizin.

Eshtë gjë e mirë që të gjithë ju të merrni pjesë në proces, duke çuar denoncime. Do të hapet edhe një adresë e posaçme, portali “Hapësira ime”. Duhet të ndahet mendja që nuk mund të shkosh përtej kufirit ku nis jeta e komunitetit. Kemi vendosur plazhet publike, jemi shumë më mirë se vjet, por nuk jemi aty ku duhet. Mbrapa pastrimit vjen rilindja urbane 2.0.

Jemi duke ngritur grupe që këto hapësira, ne t’i kthejmë në hapësira të bukura për komunitetin. Pastrojmë tek “21 Dhjetori”, tek “Komuna e Parisit”, por nuk mundet që gjërat të mbeten ashtu. Duhet të ndërhyjmë me projekte urbanistike për të krijuar hapësira të bukura publike.

Ata që kanë prona që i përdorin si parkim, janë të ftuar të vijnë të marrin leje dhe të ndërtojnë parkime të ligjshme, me dy apo tre kate që mund të jenë godina shumë të bukura që mund të shfrytëzohen. Nuk ka për t’u lejuar asgjë selektive, tentativat do të bëhen, dikush do të mbyllë sytë, por nuk do të lejohet asgjë selektive, duke bashkëpunuar komuniteti me autoritetet.