Aktualitet Politikë

Haradinaj i bën thirrje Edi Ramës të legalizojë kanabisin!

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradina, gjatë një intervistë të dhënë për një nga mediat shqiptare zbuloi se një nga problemet më të mëdha, sipas tij, që ka Shqipëria është kanabisi dhe zgjidhja është që ai të legalizohej.
Haradinaj u shpreh se Shqipëria duhet të ndjekë shembullin e Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera të cilat e kanë legalizuar me ligj.

Ai tregoi se e gjitha ishte prej dëshirës së madhe që ka për ta parë Shqipërinë një shtet ligjor, me një ekonomi të fortë, me një respektim të ndërsjelltë të bindjeve politike e partive dhe jo me dominime.

Kisha menduar që është tepër me rëndësi me legalizuar narkotikët në Shqipëri me ligj, sidomos ata që mbjellin. Kanabisin. Duhet ta marrë guximin…Ta legalizojë! Të bëjë ligj për kultivimin e tyre. E ka bërë Maqedonia. E kanë bërë popuj të tjerë. Ta heqim veten si shqiptarë nga harta e tyre që jemi vend narkotik. Ligj… transparencë…buxhet!

Sipas tij një veprim i tillë do ta pastronte emrin e shqiptarëve nëpër botë dhe në fakt më shumë rrezik përbën mënyra se si shitet e veprohet tani sesa nëse do të legalizohej.
Ai theksoi se nuk ishte pro mjelljes së lëndës si fasule, por sa për të patur një mbulesë para të tjerëve, një sektor ekonomik të caktuar, në bazë të ligjit. Mund të përdoret për mjekësi apo dhe arsye të tjera.

Duhet me i dhënë përgjigje, disa problemeve që ka Shqipëria, me një bazë të qëndrueshme ligjore. Mos me i lënë si çështje që të gjithë i dinë, flasin dhe keqpërdorin kundër nesh, Shqipërisë dhe Kosovës dhe ne bëjmë sikur nuk ekzistojnë, duhet me u dhënë përgjigje ligjore, vetëm me ligj dilet nga kjo gjendje.

Gjithsesi, rikujtojmë se Kryeministri i vendit, Edi Rama, një vit më parë ka shprehur se ishte duke u konsultuar me ekspertë ndërkombëtarë për çështjen e legalizimit të kanabisit në Shqipëri për arsye mjekësore.