Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme po zhvillon një takim me gazetarë nga vendet e Bashkimit Evropian, ku në fokus është rrugëtimi i Shqipërisë drejt objektivit kombëtar për anëtarësimin në familjen evropiane.
“Ky proces është thelbësor për ne. Anëtarësimi në BE është qendror për Shqipërinë dhe përcaktues për të tashmen dhe të nesërmen e këtij vendi. Jemi me fat, që sado i gjatë që është procesi, jemi të lumtur që procesi ka hyrë në fazën më të rëndësishme për ne. Ky nuk është vetëm një objektiv politik, është absolutisht objektivi, përparësia kryesore kombëtare. Nuk është vetëm qeveria por gjithëkush, i gjithë spektri politik e mbështet këtë proces. Nuk ka asnjë parti politike që nuk e mbështet objektivin e anëtarësimit në BE. Kjo është vërtetë e veccantë, në mos unike në Europë, sepse qeveria, opozita, shoqëria civile, biznesi, akademia, të gjithë e ndajmë këtë objektiv. Këtë dëshirë nuk e zbuluam tani Kështu ka qenë që prej rënies së komunizmit ka qenë busulla jonë jo vetëm në politikën e jashtme por në gjithçka që ne bëjmë” tha Hoxha në fjalën e tij para gazetarëve
Duke folur më tej për të gjitha hapat që ka hedhur Shqipëria drejt anëtarësimit dhe ambiciet e qeverisë për këtë plan, Hoxha sqaroi se anëtarësimi në BE kërkon shumë punë, energji dhe muskuj për të çuar përpara reformat e kërkuara.
“Ka nevojë që të punohet çdo ditë, ky proces nuk ka asnjë pushim. Është një proces pune 24 orë në ditë. Ka nevojë për kontributin e të gjithëve, dhe këtë e përmbledhim me fjalën kyce: reforma. Kjo bëhet nga i gjithë asambli qeveritar, institucionet e pavarura, parlamenti etj. Ky është një proces mbarë shoqëror. Asnjë nuk është i përjashtuar nga ky proces sepse kemi nevojë për kontributin e të gjithëve. Ambicia jonë, është e mirëplanifikuar. Kemi një plan, kishim plan për nisen e negociatave, për çeljen e të gjithë grupkapitujve dhe për mbylljen e tyre. Disa prej këtyre hapave janë zbatuar. Negociatat i çelëm në 2024 dhe për 11 muaj çelëm të 33 kapitujt. Ishim të përgatitur, kishim një ekip fantastik negociator dhe një mbështetje, vendosmëri dhe angazhim qeveritar dhe politik por edhe partneritet me institucionet e BE” tha ai.