Bota

Humbet mbështetje projektligji për financimin e qeverisë amerikane!

Presidenti i zgjedhur amerikan, papritur, hodhi poshtë një plan dypartiak për të parandaluar mbylljen e qeverisë gjatë Krishtlindjes. Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson dhe republikanëve, Donald Trump iu kërkoi që në thelb ta rinegociojnë, disa ditë përpara një afati kur skadon financimi për buxhetin e qeverisë federale.

Përfshirja në këtë debat e Trump-it dhe kërkesat e reja, sërish e vendosën Kongresin në lëvizje ndërsa ligjvënësit po përpiqen ta mbyllin punën e të shkojnë në shtëpi për pushimet e festave. Kjo e detyron kryetarin Johnson të përpiqet të hartojë një plan të ri për ta mbajtur qeverinë të hapur, përpara afatit të nesërm.

Republikanët duhet të BËHEN TË ZGJUAR dhe TË ASHPËR, thanë Trump dhe zv.presidenti i zgjedhur JD Vance në një deklaratë.

Presidenti i zgjedhur bëri një propozim që kombinonte disa vazhdimësi të fondeve qeveritare së bashku me një dispozitë shumë më të diskutueshme për të rritur kufirin e borxhit të vendit, diçka që partia e tij e refuzon rregullisht.

Çdo gjë tjetër është një tradhti ndaj vendit tonë, shkruan ata.

Demokratët kritikuan rebelimin e republikanëve për projekt-ligjin për financimin e qeverisë, që do të kishte ofruar gjithashtu rreth 100 miliardë dollarë ndihma për shtetet e goditur nga uraganët Helene e Milton, si dhe të tjera katastrofa natyrore.

Projektligji masiv prej 1500 faqesh ishte në prag të kolapsit, pasi konservatorët e djathtë kundërshtuan rritjen e shpenzimeve, të nxitura nga aleati miliarder i presidentit të zgjedhur Trump, Elon Musk, i cili e hodhi poshtë planin pothuajse sapo u publikua të martën vonë në mbrëmje.

Ligjvënësit u ankuan për shpenzimet shtesë, që përfshijnë rritjen e tyre të parë të pagave në më shumë se një dekadë, megjithëse me një prej sesioneve kaotike, më joproduktive në kohët moderne. Një numër republikanësh po prisnin që presidenti i zgjedhur të sinjalizonte nëse duhej të votonin “po” ose “jo”.

Edhe shtimi i ndihmës shumë të nevojshme për katastrofat, rreth 100.4 miliardë dollarë si pasojë e uraganeve dhe fatkeqësive të tjera natyrore që shkatërruan shtetet këtë vit, plus 10 miliardë dollarë ndihmë ekonomike për fermerët, nuk arritën të fitojnë mbështetjen e asaj pjese të republikanëve që kërkojnë ulje të buxhetit.