Komisioni i Venecias dhe Drejtoria e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut dhe Shtetin e së Drejtës (DGI) e Këshillit të Evropës kanë publikuar opinionin e tyre të përbashkët mbi projektligjin shqiptar “Për Financimin e Partive Politike”, duke vlerësuar pozitivisht nismën për modernizimin e kuadrit ligjor, por duke kërkuar një sërë përmirësimesh të rëndësishme para miratimit përfundimtar.
Opinioni është hartuar pas kërkesës së Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe u miratua nga Komisioni i Venecias më 12-13 qershor 2026.
Dokumenti vlerëson se projektligji synon të krijojë një sistem më transparent dhe më të kontrollueshëm për financimin e partive politike, në përputhje me standardet evropiane dhe rekomandimet e mëparshme të Bashkimit Evropian, ODIHR-it dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë.
Komisioni i Venecias mirëpret faktin që drafti është përgatitur në një proces ku kanë marrë pjesë shumica dhe opozita, si dhe që janë zhvilluar konsultime publike me organizatat e shoqërisë civile dhe aktorë të tjerë. Megjithatë, ai rekomandon që konsultimet të vazhdojnë edhe përpara miratimit të ligjit, duke marrë parasysh komentet e institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Sipas opinionit, projektligji përmban një sërë elementësh pozitivë, si zgjerimi i detyrimeve për raportim financiar, publikimi i të dhënave përmes një platforme elektronike të KQZ-së, forcimi i mekanizmave të auditimit dhe kontrollit, kufizime më të qarta për burimet e financimit dhe parashikimi i strukturave të posaçme mbikëqyrëse brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Këto masa, sipas ekspertëve të Venecias, mund të rrisin besimin e publikut te transparenca e financimit politik.
Megjithatë, ekspertët evidentojnë se drafti nuk adreson mjaftueshëm rreziqet moderne të financimit politik. Sipas tyre, ligji fokusohet kryesisht te financimi i drejtpërdrejtë i partive, ndërsa lë hapësira për financime të fshehta ose indirekte përmes organizatave të lidhura me partitë, fondacioneve, aktorëve të tretë, platformave digjitale, reklamave politike online, huave apo shërbimeve të ofruara nën vlerën e tregut.
Një nga rekomandimet kryesore është harmonizimi i plotë i rregullave për financimin e zakonshëm të partive me ato që rregullojnë financimin e fushatave zgjedhore në Kodin Zgjedhor. Komisioni paralajmëron se mospërputhjet mes dy kuadrove ligjore mund të krijojnë boshllëqe dhe mundësi për shmangien e kontrolleve financiare.
Po ashtu, kërkohet që raportet financiare të partive të përfshijnë në mënyrë të detajuar të gjitha burimet e të ardhurave, shpenzimet, asetet, detyrimet financiare, huatë, garancitë, kontributet në natyrë, shpenzimet për komunikimin mediatik dhe reklamimin digjital, si dhe fondet e dedikuara për gratë dhe të rinjtë. Sipas Komisionit të Venecias, transparenca duhet të jetë më e gjerë, veçanërisht gjatë viteve zgjedhore.
Në opinion theksohet gjithashtu nevoja për forcimin e kapaciteteve të KQZ-së, për bashkëpunim më të ngushtë me institucione të tjera shtetërore dhe për garanci më të forta mbi pavarësinë e audituesve që kontrollojnë financat e partive politike.
Komisioni i Venecias rekomandon edhe rishikimin e sistemit të sanksioneve, duke kërkuar që ato të jenë efektive, proporcionale dhe parandaluese. Në veçanti, masa e ndalimit të pjesëmarrjes së një partie në zgjedhje duhet të përdoret vetëm në raste shumë serioze, si mjet i fundit dhe me garanci të plota për shqyrtim gjyqësor.
Në përfundim, Komisioni i Venecias vlerëson se drafti përfaqëson një hap përpara në reformimin e financimit politik në Shqipëri, por nënvizon se efektiviteti i tij do të varet nga përmirësimet e mëtejshme dhe zbatimi praktik i rregullave të reja. Institucioni i Këshillit të Evropës shprehet i gatshëm të vazhdojë të asistojë autoritetet shqiptare gjatë procesit të reformës.