Rajoni

Humbi vajzën nga një sëmundje e rëndë, mesazhi i akademikut Rexhep Qosja: Ditë të rënda për ne! Mos i provoftë askush!

Akademiku dhe shkrimtari i njohur shqiptar, Rexhep Qosja, ka dalë për herë të parë me një reagim publik pas humbjes së vajzës së tij, Edita Qosja-Rexhepi, e cila ndërroi jetë pak ditë më parë.

Në një mesazh të ndjerë dhe të mbushur me dhimbje, Qosja falënderon të gjithë ata që kanë qenë pranë familjes së tij në këto ditë të vështira, duke shprehur mirënjohjen për ngushëllimet e shumta dhe mbështetjen e sinqertë që ka marrë.

LEXO EDHE: Polemika/ Qosja mbështetje publike Albin Kurtit: I ngriti prestigjin Kosovës. Buzhala e denoncon: Ti je një…, i përkëdhelur i Titos dhe servil i Thaçit që të dha 200 mijë euro

“Humbja e vajzës sime të shtrenjtë më ka bërë të kuptoj thellësinë e dashurisë prindërore dhe pafundësinë e dhimbjes që sjell largimi i parakohshëm i një fëmije për prindërit,” shkruan akademiku.

LEXO EDHE: 87-vjetori i Rexhep Qoses, Begaj: Një pasuri kombëtare e mendimit

Ai lutet që askush të mos përballet me një dhimbje kaq të madhe dhe ndan refleksionet e tij mbi natyrën njerëzore, fisnike dhe të domosdoshme të solidaritetit në këto momente të vështira.

Mesazhi:

F A L Ë N D E R I M
Me 29 korrik, pas një kohe të gjatë të mbushur me dhembje e dhembshuri, me vuajtje e mundime, me sprova e pafuqi, humbëm të dashurën, të shtrenjtën, të pazëvendësueshmen, pjesën e shpirtit e të zemrës sonë, bijen time Editën, të mirën, të urtën, të prajshmen, zemërbardhën, fisniken, nënën e Valjetit, të Donikut, të Lironës, gjyshen e Rinesës e të Lizës dhe motrën e Violës sonë.
Këto ditë, kur pushuan dhembjet e Editës, kur ato dhembje na i la neve, janë ditë jo të lehta, janë ditë të rënda për ne, janë ditë që mos u provofshin nga askush.
Por, në këto ditë dhembjeje e pikëllimi, na e hapën derën e na e ngushëlluan zemrën e mendjen numër i madh njerëzish – farefis, miq nga të gjitha trojet shqiptare, dashamirës të përhershëm, kolegë fisnikë, fqinjë nga afër e nga larg, por edhe një varg institucionesh kulturore, kombëtare, politike, një vargu krijuesish të arteve e të shkencave, të cilat na e lehtësuan e na e zbutën, aq sa është mundshme në këto raste, humbjen tonë të madhe, kurrë të harrueshme.
Ngushëllimet tuaja zemërore i kemi ndier shumë afër si në ditën e varrimit, si në ditët ngushëlluese përmes ardhjes, përmes telefonit, përmes postës elektronike, përmes komunikimit digjital e mediave.
Ju jemi shumë falenderues e mirënjohës të gjithë juve, që në çfarëdo mënyre keni gjetur mundësinë të na ngushëlloni, të na jepni zemër e kurajë. Mos paçi pikëllime të këtilla kurrë!
Humbja e vajzës sime të shtrenjtë, më ka ndihmuar të kuptoj se sa e thellë është dashuria prindërore e sa e pafundshme është dhembja e largimit të parakohshëm të fëmijës për prindërit, por më ka bërë të kuptoj e të ndiej edhe se sa e nevojshme, se sa e dobishme e se sa e njerëzishme e fisnike është pjesëmarrja ngushëlluese për dhembje të mëdha njerëzore.
Me nderim e mirënjohje Rexhep Qosja me familje