Aktualitet

I dënuar për drogë në Napoli, arrestohet në Kuçovë 49 vjeçari!

Një person i kërkuar nga drejtësia italiane u arrestua nga policia në Kuçovë. Policia informon se 49-vjeçari Armando Pjetri u vu në pranga pasi rezulton i dënuar me 29 vite burg si pjesë e një bande të trafikut të drogës në Napoli.

Bashkë me të u ndalua 53-vjeçari me inicialet A.H., banues në Kuçovë, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Prodhimi e shitja e narkotikëve”. Ndërkaq, Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Romën, për të finalizuar procedurën e ekstradimit të Armando Pjetrit.

Njoftimi policor: 

Si rezultat i një pune operacionale të mirëorganizuar, të kryer nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kuçovë dhe me DFPO-në, në drejtimin e Prokurorisë së Beratit, u finalizua operacioni “Rrjeta”.

Në kuadër të operacionit, u vunë në pranga:

-shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar, Armando Pjetri, 49 vjeç;

-shtetasi A. H., 53 vjeç, banues në Kuçovë, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjykata e Apelit në Napoli e ka dënuar 49-vjeçarin, që strehohej nga 53-vjeçari, me 29 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale. Në banesën ku strehohej shtetasi i kërkuar ndërkombëtarisht, në lagjen “1 Maji”, u gjet një sasi lënde narkotike Cannabis Sativa që u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.