Në një postim në X, Brigitte Bardot sqaroi gjendjen shëndetësore pas lajmit për vdekjen e supozuar, të përhapur nga një bloger francez, 27-vjeçari Aqababe, emri i vërtetë i të cilit është Aniss Zitouni:
Nuk e di, shkroi aktorja 91-vjeçare, kush është budallai që përhapi lajmin e rremë për ndarjen time nga jeta sonte, por dijeni që jam mirë dhe se nuk kam ndërmend të them lamtumirë.
Arkivoli i saj është porositur
Një agjenci lajmesh franceze raportoi se Aqababe, në postimin e tij të fshirë më pas, pretendoi se kishte “informacion ekskluziv” në lidhje me vdekjen e supozuar të Bardot.
Arkivoli i saj është porositur në Saint-Paul-de-Jarrat, në departamentin Oise (Ariège). Një ikonë ka ndërruar jetë, duke lënë një trashëgimi të paharrueshme dhe një gjurmë të përjetshme në zemrat e francezëve, shkruhej në postimin e fshirë, sipas Daily Mail-it.
Pas përgjigjes së aktores, Aqababe përsëriti deklaratën e tij fillestare, duke pretenduar se Bardot nuk drejton llogarinë e saj X.
E fshiva postimin tim ekskluziv në lidhje me vdekjen e Brigitte Bardot. Ajo nuk drejton Twitter, do ta mësoni kur AFP të njoftojë zyrtarisht vdekjen e saj, shkroi më vonë Aqababe, po në X.
Bardot u shtrua në spital për disa javë në Toulon, në Francën jugore, për një ndërhyrje kirurgjikale dhe qarkulluan thashetheme alarmuese rreth shëndetit të saj, të cilat u përshkruan si “shqetësuese”.
Fillimisht, media franceze pati raportuar se operacioni lidhej me një sëmundje të rëndë, natyra e së cilës, megjithatë mbeti e paqartë.
Më pas, ylli francez i filmit u kthye në shtëpi dhe shoqëruesit njoftuan se ikona e kinemasë franceze ishte “shtruar shkurtimisht në spital” në klinikën private Saint-Jean në Toulon, një port francez në Mesdhe, për t’iu “nënshtruar një procedure të vogël kirurgjikale, e cila shkoi veçanërisht mirë”.
Deklarata shtoi se tani Bardot “po qetësohet në shtëpi e nuk do t’i përgjigjet asnjë kërkese, si dhe falënderon të gjithë për respektimin e privatësisë e qetësisë së saj”.
Bardot, e cila e la kinemanë në vitet 1970 për t’iu përkushtuar plotësisht të drejtave të kafshëve, jeton midis vilës së saj legjendare, La Madrague, në Saint-Tropez dhe një shtëpie të dytë të fshehur mes shkurreve, La Garrigue, me shumë kafshë.