Ish-i fejuari i kryebashkiakes së një qyteti në Kaliforninë Jugore është dënuar me katër vite burg federal pasi u shpall fajtor për veprim si agjent i paligjshëm i një qeverie të huaj, konkretisht të Kinës. Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, Yaoning Mike Sun, 55 vjeç, pranoi fajësinë për një akuzë që lidhet me veprimtarinë e tij në territorin e Shteteve të Bashkuara në emër të qeverisë kineze, pa njoftuar Prokurorin e Përgjithshëm, siç kërkohet nga ligji federal.
Prokurorët deklaruan se Sun kishte vepruar me vetëdije në interes të Kinës nga viti 2022 deri në janar 2024. Ai kishte qenë më herët i fejuar me Eileen Wang, kryebashkiake e qytetit Arcadia dhe kishte punuar gjithashtu si pjesë e stafit të një fushate elektorale. Gjatë mbledhjes së parë të këshillit bashkiak pas shpalljes së dënimit, kryebashkiakja Wang refuzoi të komentojë mbi çështjen.
Sipas autoriteteve, Sun kishte bashkëpunuar me një person tjetër mes viteve 2020 dhe 2023 për të operuar një faqe lajmesh që i drejtohej komunitetit kinez-amerikan në zonë. Prokuroria pretendon se platforma publikonte përmbajtje në favor të qeverisë kineze, nën drejtimin e zyrtarëve në Pekin. Gjithashtu, Sun akuzohet se kishte vepruar si këshilltar fushate për të njëjtin individ, i cili më vonë u zgjodh në një post në këshillin bashkiak në nëntor 2022.