Meghan King, ish-yll i “Real Housewives of Orange County”, i është hequr përkohësisht kujdestaria fizike e tre fëmijëve që ka me ish-bashkëshortin, ish-lojtarin e bejsbollit Jim Edmonds, pas akuzave serioze për përdorim të një medikamenti pa përshkrim mjekësor.
Sipas raportimeve, dyshohet se King i ka dhënë njërit prej fëmijëve ilaçin për ADHD, Ritalin, pa recetë nga mjeku, madje thuhet se ka kërkuar edhe nga infermierja e shkollës që t’ia administronte ilaçin djalit të saj.
Punonjësi i shkollës ka raportuar rastin tek Shërbimet për Mbrojtjen e Fëmijëve, çka çoi në përfshirjen e një avokati të caktuar nga gjykata, i cili kërkoi një urdhër të përkohshëm kufizues ndaj King.
Pas këtij zhvillimi, Jim Edmonds mori kujdestarinë e vetme fizike të fëmijëve, ndërsa Meghan King aktualisht ka të drejtë vetëm për vizita nën mbikëqyrje.
Vendimi mbetet i përkohshëm, deri në një seancë të ardhshme gjyqësore ku do të vendoset për kujdestarinë afatgjatë.
Meghan dhe Jim kanë tre fëmijë: vajzën 8-vjeçare Aspen dhe binjakët 7-vjeçarë, Hart dhe Hayes.
Marrëdhëniet mes ish-bashkëshortëve janë bërë gjithnjë e më të tensionuara muajt e fundit, duke përfshirë dhe një incident në shtëpinë e Edmonds në Missouri, ku gruaja e tij aktuale, Kortnie, ka telefonuar 911.
Përfaqësuesi i Edmonds ka mohuar çdo akuzë për abuzim dhe ka theksuar se ai ka qenë gjithmonë i gatshëm të bashkëprindërojë “në mënyrë të respektueshme dhe për të mirën e fëmijëve”.
Nga ana tjetër, ish-kolegia e Meghan King në reality show, Kelly Dodd, e ka mbrojtur atë publikisht, duke e cilësuar “nënë të shkëlqyer” dhe duke theksuar se pavarësisht betejës ligjore, King i do pa masë fëmijët e saj.
Beteja për kujdestarinë pritet të vazhdojë në gjykatë, ndërsa opinioni publik ndjek me vëmendje zhvillimet e radhës.