Celebrities Gossip Showbiz

Princi Harry dëshiron të ndryshojë mbiemrin?!

Princi Harry thuhet se e ka konsideruar seriozisht ndryshimin e mbiemrit të tij në Spencer, si një homazh për nënën e tij, Diana dhe ndoshta si një shenjë e një ndarjeje përfundimtare me familjen mbretërore, raportojnë mediat britanike. Një zbulim ky që i shton një kapitull të ri dhe të papritur sagës komplekse midis Dukës së Sussex dhe Pallatit Buckingham. Sipas gazetës britanike Daily Mail, thuhet se Princi Harry i kërkoi këshilla xhaxhait të tij, Charles Spencer, për të adoptuar mbiemrin e nënës së tij, Diana.

“Harry foli drejtpërdrejt me xhaxhain e tij, Charles Spencer, gjatë një vizite të rrallë në Mbretërinë e Bashkuar, duke i kërkuar këshilla se si ta përvetësonte ligjërisht mbiemrin e nënës së tij”-i tha një mik i ngushtë i princit, gazetës britanike Daily Mail. Megjithatë, duket se përgjigjja e xhaxhait nuk la vend për entuziazëm: “Ata patën një bisedë shumë miqësore dhe Charles Spencer e këshilloi të mos ndërmerrte një hap të tillë”-tha burimi, duke nënvizuar se ndërlikimet ligjore do të kishin qenë shumë të shumta.

Princi Harry do të kishte dashur ta zëvendësonte mbiemrin Mountbatten-Windsor, atë që u ishte caktuar fëmijëve të tij Archie dhe Lilibet në certifikatat e tyre të lindjes, me një Spencer më “identifikues”. Një zgjedhje plot kuptim, jo ​​vetëm personal, por edhe simbolik, i cili megjithatë nuk u materializua. Mbiemri Mountbatten-Windsor, i zgjedhur në vitin 1960 për pasardhësit e drejtpërdrejtë të Mbretëreshës Elizabeth II dhe Princit Philip, mbetet një simbol i trashëgimisë mbretërore edhe sot. Por për Princin Harry, me sa duket, ky emër nuk është më i mjaftueshëm për të treguar historinë se kush është ai sot, apo nga vjen.

Nga ana tjetër, marrëdhënia e Harry-t me të atin, Mbretin Charles III, dhe vëllanë e tij William mbetet e largët. Pika e kthesës ishte lamtumira e tij me familjen mbretërore në vitin 2020, e ndjekur nga botimi i autobiografisë së tij Spare në vitin 2023. Që atëherë, pavarësisht disa përpjekjeve për qetësim, marrëdhëniet familjare kanë mbetur të ngrira.